TIRANË- Komisioneri Oliver Valhelyi gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama ka folur edhe në lidhje me kampusin që do të ndërtohet në Tiranë nga kolegji i Europës. Ai tha se kjo do të ndihmojë që Tirana të bëhet edhe më popullore ndërsa ka shtuar se kjo do të ndryshojë jetën ekonomike në Ballkan.
“Kolegji i Europës është duke hapur kampusin e tij në Tiranë për të nisur vitin akademik në shtator, me 31 studentët e parë nga gjithë Europa. Jam i befasuar nga shifrat, Tirana do të bëhet edhe më popullore. Ai që do ndërtohet edhe nga pikëpamja arkitekturore do jetë diçka që do të ndryshojë edhe jetën ekonomike në Ballkan", tha Varhelyi.
Marrëveshja për hapjen e Kolegjit Evropian u nënshkrua sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës./ZËRI