
TIRANË- Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ua bëri të qartë kryebashkiakëve se duhet të kenë një performancë të mirë, në mënyrë që të përthithin fonde nga qeveria. I pyetur si do të bëhet shpërndarja e granteve, ai tha se në këtë drejtim, nuk ka ndarje mes bashkive të djathta ose të majta, por e gjitha do jetë transparente.
“Elementi i parë është popullsia dhe i dyti mundësia për t’i dhënë financime bashkive që kanë të ardhura më të dobëta. Propozimi është që 20% e grantit të fokusohet si një grant performance, te mënyra se si bashkitë ia dalin te mbledhja e të ardhurave të tyre. S’ka të bëjë me bashki e majtë dhe e djathtë, por mbi bazën e transparencës”, tha Mazniku.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Shkodër një takim me kryebashkiakët, dhe një pjesë të ministrave, ku janë analizuar puna e sfidat e pushtetit vendor. Të pranishëm në këtë takim janë dhe një pjesë e kryebashkiakëve të djathtë që dolën fitues në zgjedhjet e Majit të vitit të kaluar./ZËRI