
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka thënë se së shpejti do të nisë puna për disa projekte infrastrukturore nga veriu në jug të vendit. Kreu i qeverisë tha se qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes rrugëve me pagesë dhe atyre pa pagesë. Mes të tjerash ai zbuloi se aksi Thumanë-Kashar do të jetë i kalushëm në 30 qershor duke bërë që të ketë një lehtësim të fluksit të mjeteve që lëvizin në kulmin e sezonit turistik.
"Kemi gati një numër segmentesh që janë mbi dhe nën Thumanë-Kashar që besojmë se në 30 qërshor do të bëhet i kalueshëm. Për t’ju dhënë një shembull të thjeshtë kini parasysh që projektet e infrastrukturës marrin një kohë shumë të gjatë në vende shumë më të zhvilluara sesa ne. Në rastin konkret kemi pasur nevojë për disa korrigjime të natyrës juridike në kontrata. Është gjithçka gati, do kemi një kantier total që do hapet nga veriu deri në jug. Segmenti i fundit që është në fazë projekti, është segmenti nga Shkodra që lidhet poshtë me të gjithë segmentet e tjera që janë Milot-Balldren, pastaj Thumana, Kashari, pastaj Fieri dhe pastaj lidhet me Vlorën. E gjithë kjo do jetë një rrugë e re, do ketë 2 alternativa. Atlernativa me pagesë dhe pa pagesë. Hapja e Thumanë-Kashar do të lehtësojë shumë në këtë sezon", tha ai.
Rama shtoi se pritet projekti për të hapur kantierin e rrugës që shkon deri në Murriqan.
"Jam optimist që kantierët do jenë të gjitha të hapura. Presim vetëm projektin për të hapur kantierin që shkon deri në Murriqan. Kemi marrë dritën jeshile për financimin e hekurudhës deri në Hanin e Hotit. Po bëjmë studimin e variantit që na lidh me Prishtinën duke kaluar nga Shkodra përmes Gjakovës. Shëngjin Velipojë është në kantier dhe ka pasur një segment 300 metra që ka qenë shumë i vështirë nga ana gjeologjike por është hapur dhe tani puna vazhdon me ritëm të mirë. Rruga e Dukagjinit, është në kantier dhe vazhdon punohet", tha ai.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Shkodër një takim me kryebashkiakët, dhe një pjesë të ministrave, ku janë analizuar puna e sfidat e pushtetit vendor. Të pranishëm në këtë takim janë dhe një pjesë e kryebashkiakëve të djathtë që dolën fitues në zgjedhjet e Majit të vitit të kaluar./ZËRI