Politikë

Zgjedhje në Himarë? Rama: Presim Apelin! Të huajt të mos komentojnë gjykatat shqiptare

Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se Kryeministria nuk shpall zgjedhje dhe se kjo gjë do të bëhet nga Presidenca.

F.m
Zgjedhje në Himarë? Rama: Presim Apelin! Të huajt të mos
Edi Rama

SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të presin vendimin e Gjykatës së Apelit dhe më pas ‘topi’ do të kalojë në derën e Presidentit për të vendosur nëse do të zhvillohen zgjedhje të reja në Bashkinë e Himarës apo jo. I ndodhur në Shkodër, pas një mbledhje me kryebashkiakët, Rama nuk la pa përgjigje as komentet e mediave greke. Ai shtoi se drejtësia shqiptare duhet të ishte lënë e qetë dhe të mos komentohej nga të huajt, kur një gjë e tillë nuk ndodh nga politika shqiptare. Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se Kryeministria nuk shpall zgjedhje dhe se kjo gjë do të bëhet nga Presidenca.

“Ju e dini shumë përse nuk kemi vijuar me zhvillimin e zgjedhjeve. Ka qenë thjesht dhe vetëm një qasje e vullnetit të mirë nga ana e Shqipërisë dhe duhet të presim vendimin e Gjykatës së Apelit dhe më pas do të veprojmë sipas ligjit. Do kishte qenë e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë siç e kemi lënë ne të qetë për cështjet brenda, cilindo vend jashtë Shqipërisë. Sepse është drejtësia shqiptare që vendos për çdo çështje brenda territorit. Zotëria është shtetas i Shqipërisë. Për mua që nuk komentoj vendimet e gjykatave, tingëllon pak cingërritëse të dëgjojmë zëra të huaj që të bëjnë komente për vendimet e gjykatave tona. Por iu kujtoj se zgjedhjet e reja i shpall Presidenti dhe jo Kryeministri. Do të ndiqet procedura sipas ligjit,”- tha Rama.

Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Belerin. Beleri është shpallur fajtor për 'korrupsion aktiv' në zgjedhjet lokale të 2023-it. Fredi Beleri u arrestua në një lokal në Himarë, 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit 2023. Ndaj edhe deri më tani Beleri nuk ka kryer betimin, pasi Gjykata nuk i ka dhënë leje për diçka të tillë. Në detyrë si kryebashkiak i Himarës mbetet ende Jorgo Goro edhe pse i ka skaduar mandati.

Poll

MOS HUMB