
TIRANË- Për më shumë se 2 orë, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese u shqyrtua edhe njëherë kërkesa e dorëzuar nga deputetët e Partisë Demokratike lidhur me mandatin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. I pranishëm në sallë sot, krah avokatit Marash Logu, ishte edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Në fjalën e tij para trupës gjykuese, Bardhi u shpreh se i takonte Gjykatës Kushtetuese të vendoste lidhur me mandatin e ministres, por theksoi se Kuvendi me mos zbatimin e vendimit të parë, sfidoi Gjykatën Kushtetuese.
“Rreth dy vite më parë grupi ynë depozitoi në Kuvend kërkesë për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Pas zvarritjes, për herë të parë një vendim i marrë nga GJK është sfiduar nga Kuvendi përmes shpalljes së vetes sovran ndaj vendimeve të GJK. Mandati i Xhaçkës tashmë edhe pak edhe mbaron vetë. Ose duhej të vinim në Gjykatë Kushtetuese ose tia linim turpin maxhorancës. Vlerësuam që po duhej të vinte sepse sfida ndaj autoritetit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nuk është cështje vetëm dinjiteti por e çdo ligjëvënësi betuar në Kushtetutë. Është në dorën tuaj nëse do të duhej të mbrojë autoritetin dhe dinjitetin e kësaj godine. Ne si deputetë të pakicës kemi bërë detyrën tonë, e sollëm në Gjykatë Kushtetuese. Në momentin që Gjykata Kushtetuese na jep të drejtë dhe Kuvendi thotë se pavarësisht se ju ka dhënë të drejtë Gjykata Kushtetuese e Kushtetuta ne vendosim tju injorojmë këtu është cënuar stabiliteti, mundësia për bashkëjetesë sipas rregullave që përcakton Kushtetuta dhe paqja sociale,”- tha ai.
Mazhoranca mbajti për më shumë se një vit në sirtar vendimin për deputeten. Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme në kohën kur Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit. Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën.
Me 72 vota kundër të mazhorancës dhe 39 vota pro të opozitës, Kuvendi vendosi më 11 prill 2024 kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Vetë Xhaçka mohoi çdo akuzë, për përfitime të paligjshme apo konflikt interesi, ndërsa theksoi se bashkëshorti i saj ka vetëm status të investitorit të asistuar dhe jo atë të investitorit strategjik të veçantë. Pas vendimit të Parlamenti, opozita e çoi sërish në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Xhaçkës./ZËRI