
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka rrëfyer detaje nga momenti që humbi ndjenjat në protestën e Opozitës. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, Gjekmarkaj tha se nuk dëshironte që të largohej dhe se ishte përpjekur të rezistonte. Ai shtoi më tej se në momentin që ndjeu ngadalësimin e frymëmarrjes, kuptoi situatën e vështirë në të cilën ndodhej dhe humbi ndjenjat.
“Unë rezistova disa minuta, nuk doja të ikja nga aty, por ndjeva ngadalësimin e frymëmarrjes. Kur më tërhoqën nga turma e policëve, humba ndjenjat. Nuk ika, as në kafe, as në shtëpi, ika në spital,”- tha Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj u dërgua në spital gjatë protestës së 26 dhjetorit. Ai fajësoi policinë, për të cilët tha se kishin ushtruar dhunë mbi të e ndaj kishte humbur ndjenjat.