
TIRANË- Kryeministri Edi Rama thotë se e mbështet totalisht opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rama tha se Komisioni i Venecias e ka theksuar qartë se askush nuk u imponon dot deputetëve mënyrën se si ata duhet të votojnë. I pyetur nëse ajo që lihet të kuptohet nga Opinioni, është që nuk duhet të votohet fare, por që duhet t’i kalohet Gjykaytës, Rama tha se ky është një interpretim tjetër i tepërt, sepse sipas tij, nëse diçka do të kalojë në parlament, aty do të vendosë parlamenti dhe askush tjetër.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, përpara se të kaloj te disa pyetje lidhur me zgjedhjet e ardhshme, do të doja të ndalesha pak te një zhvillim i parlamentit. Ka patur një debat, që ka zgjatur për më shumë se dy vjet, për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Shumica juaj mbështeti dhe argumentoi idenë se deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar, duke refuzuar kështu vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë Komisioni i Venecias në Opinionin e tij, ndonëse e njeh këtë të drejtë të deputetëve, që ata mund të mos detyrohen për mënyrën si duhet të votojnë, saktëson se “Gjykata kishte dhënë dy vendime - dhe këtu po citoj Opinionin - dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk mund të kushtëzohet nga votimi ose shumica parlamentare”. Pse përfaqësuesit e shumicës tuaj, zoti Rama, vijojnë të mbrojnë tezën se Komisioni i Venecias ju dha të drejtë juve?
Kryeministri Rama: Sepse përfaqësuesit e shumicës tonë parlamentare lexojnë shumë mirë shqip. Vendimi i Komisionit është më shqip nuk mund të ketë. Tani, nëse pastaj do të hyjmë në lodra të natyrës juridike, atëherë e dimë shumë mirë që dy juristë të ndryshëm, për shkak të pozicionit të ndryshëm, mund të bëjnë dy interpretime të ndryshme. Por vendimi i Komisionit të Venecias është i qartë: nuk do të duhej fare të lindte nevoja, sepse nuk ekziston, është jashtë logjikës më elementare të funksionimit të një shteti demokratik, ku të treja pushtetet janë të pavarura nga njëra-tjetra, legjislativi, gjyqësori dhe ekzekutivi, që një gjykatë, qoftë edhe ajo Kushtetuese, t'u imponojë deputetëve se si duhet të ngrenë dorën. Kjo nuk ndodh.
Zëri i Amerikës: Po ajo që lihet të kuptohet nga Opinioni, është që nuk duhet të votohet fare. Duhet t’i kalojë direkt Gjykatës.
Kryeministri Rama: Ky është një interpretim tjetër i tepërt, sepse Opinioni i Komisionit të Venecias është i qartë si drita e diellit: Parlamenti nuk imponohet, e nëse diçka do të kalojë në parlament, aty do të vendosë parlamenti, ndaj nuk vendos askush tjetër.
Komisioni i Venecias ka publikuar raportin në lidhje me mandatin e deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka. Në konkluzionet e nxjerra nga Komisioni i Venecias, ekspertët dalin në përfundimin se Kuvendi duhet që të njohë detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si një "normë të gjithëditur". Por po ashtu, Komisioni i Venecias thekson se pavarësisht se Kuvendi duhet që të njohë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, deputetët sërish nuk mund që të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar. Megjithatë shtojnë se gjithsesi vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë detyrim i deputetëve për të votuar në një mënyrë të caktuar, por si “një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës” dhe besnikërisë ndaj kushtetutës.