
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka marrë pjesë në një takim me mbështetësit e Partisë Demokratike në Kamëz. Ai mbajti dhe një fjalim para tyre, të cilët i falenderoi për mbështetjen, por gjithashtu bëri dhe një krahasim me Partinë Socialiste. Sipas Berishës, PD-ja është më e fortë se kurrë, ndërsa Partia Socialiste, e cila është edhe në pushtet, janë në konflikt me njëri-tjetrin. Madje socialistët, Berisha i konsideroi ‘çakenj’.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Miqtë e mi, ju denoncuat shndërrimin e procesit zgjedhor në një farsë zgjedhore. Ju denoncuat shkrirjen në një të krimit dhe pushtetit. Ju denoncuat tradhtinë kombëtare ndaj interesave shqiptare të Edi Ramës. Sot këto nuk janë më vetëm denoncime tuajat, por sot janë tre rezoluta ndërkombëtare, njëra prej të cilëve e firmosur nga 108 parti politike të qendrës së djathtë, tjetra nga 85 parti, të cilat i thonë mbarë botës se Shqipëria është një narkoshtet, se Shqipëria është vendi i narkodiktaturës me burgje dhe të burgosur politikë, se Shqipëria është vendi i farsës zgjedhore dhe i monizimit, se në Shqipëri shteti dhe krimi janë binom i pandarë, se në Shqipëri, korrupsioni ka rrokur qiellin dhe nuk përmbahet. Pra miq, qëndruat dhe rezistuat për 3 vite. Por sot regjimin e keni sjellë buzë varrit. Po. Sot, në qoftë se ne jemi të bashkuar në respekt të plotë të mendimeve të njëri-tjetrit, ata po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Ata kanë një përballje si çakejtë kundër njëri-tjetrit dhe gjuajnë njëri-tjetrin me krimet që kanë kryer vetë. Kurse ne kemi përgatitur platformën me të cilën do të ulemi të bisedojmë me çdo qytetar të këtij vendi.