
TIRANË- Kryeministri Edi Rama në episodin e fundit të podcastit “Flasim” ftoi vokalistët e grupit “Shkodra Elektronike”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizion Shqiptar. Grupi “Shkodra Elektronike” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025 me këngën “Zjerm”, që do të mbahet në 13-17 maj 2025 në Bazel të Zvicrës.
Vokalistët, rrëfyen rrugëtimin e tyre në muzikë si dhe emocionet që përjetuan për pjesëmarrjen në eventin e madh muzikor. Nga ana tjetër, Rama u shpreh se ai nuk e ka ndjekur prej vitesh Festivalin, ku dhe as nuk e ka dëgjuar plotësisht këngën, por nuk dha arsyet e një vendimi të tillë. Kryeministri tha se ka pasur raste kur fituesi ka qenë kontrovers, por këtë herë ka një konsesus që fitorja është e merituar.
“Ende nuk e kam dëgjuar plotësisht këngën dhe prej shumë e shumë kohësh nuk e kam ndjekur Festivalin. Mos më pyesni pse, qysh, tek sepse është ndoshta bisedë e gjatë. E di që nuk kam dhe nuk pretendoj të kem të drejtë, por ja kështu është nuk e kam ndjekur. Për hir të vërtetës kur nuk e ndoqa edhe këtë herë, nuk besoj se kam për ta ndjekur ndonjëherë.
Por kurrë mos thuaj kurrë, por nuk jemi këtu për mua dhe nuk ka pikë rëndësie se çfarë mendoj unë, apo çfarë them unë për Festivalin, rëndësi ka çfarë thoni ju për jetën dhe krijimitarinë tuaj, sepse ju jeni fituesit. Përpara ka pasur raste kur fituesi apo fituesja kanë qenë kontroversë, ose kanë krijuar kundërshti në mjedisin publik, por këtë herë ka një konsenus që fituesit janë fituesit”, tha Rama. /ZËRI