TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dorëheqjes së Evis Salës nga posti i ministres së Shëndetësisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama i shpreh mirënjohje Salës për përkushtimin ndaj ushtrimit të detyrës.
“Një falënderim i përzemërt për Profesore Evis Salën, e cila me përkushtimin dhe profesionalizëm dhe kontributin e saj në qeverinë tonë si ministre e shëndetësisë për programin e ri të reformave, ndërkohë që do të vazhdojë të jetë një ndihmë e çmuar paralelisht me angazhimin e mëtejshëm ndërkombëtar. Urime dhe vetëm mbarësi e dashur Evis”, shkruan Rama.
Evis Sala paraqiti dorëheqjen këtë të mërkurë, pasi qëndroi në postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për gati një vit. Sala mori detyrën më 11 shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri prezantoi qeverinë "Rama 4." Ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht arsyet që e kanë çuar ministren drejt dorëheqjes, por në paraqitjen e dorëheqjes mësohet që ajo të ketë thënë se “do të ndjekë karrierën e saj akademike”. Në prezantimin e saj, Sala u shpreh se objektivi kryesor ishte zgjidhja e rimbursimit të barnave onkologjike./ZËRI
