TIRANË- Endri Shabani, kryetari i "Nisma Thurje" ka shpjeguar për herë të parë arsyen e konfliktit të tij publik me kreun e "Shqipëria bëhet", Adriatik Lapaj. Mbrëmjen e djeshme, i ftuar në “Off the Record”, Shabani tha se arsyeja kryesore e konfliktit ishte fakti se Lapaj nuk e mbajti fjalën e tij për të mos e marrë mandatin në Kuvendin e Shqipërisë, të vetmin e fituar në zgjedhjet parlamentare të majit, nga koalicionet e lartpërmendura. Sipas tij, konflikti qështë për parimin.
“Ka një tension që lidhet me premtimin për përfaqësim në Parlament. Sistemi zgjedhor na ka detyruar që të dalim me një skemë ku lista e mbyllur do të jepte dorëheqjen (46 kandidatë) dhe të gjithë të tjerët ishim te lista e hapur. Para se të ndodhte e gjitha kjo, pati diskutim se kush do e drejtonte koalicionin dhe vendosëm ta drejtonte më i riu ndër ne, që ishte Adriatik Lapaj, i cili, si kryetar, do të ishte edhe më i promovuari. Për pasojë, do të kishte avantazh ndaj të tjerëve. Shqetësimi ishte se ky avantazh mund të ishte i padrejtë. Për këtë arsye, garancia ishte që nëse marrim vetëm 1 mandat, nuk do të ishte Adriatiku. Kishte një garë mes gjithë të tjerëve dhe kishte një angazhim të drejtuesit të koalicionit, i cili tha që “ju nuk po futeni në garë për të më bërë mua deputet sepse nuk jam këtu për karrierën time personale”. Kjo garanci u tha edhe publikisht më pas. Çfarë ndodhi? Të 46 kandidatët, kur erdhi data 11 maj, firmosën dorëheqjet. Kandidati i 47, që ishte Adriatiku, ndryshoi mendim. Kjo nuk është shkruar në marrëveshje, por ne jemi njerëz të fjalës dhe janë provat që angazhimi ai ishte. Duke qenë se ishte lider i koalicionit, ai vendoste standardin për të tjerët. Njëri prej personave që kishin firmosur dorëheqjen u ndje i përdorur ngaqë kreu i koalicionit nuk e mbajti fjalën. Ky nuk është konflikt për një mandat ose për një rrogë, është konflikt për një parim. Unë mendoj që zoti Lapaj duhet të hyjë në Parlament, por nuk i bind dot të tjerët që të mbajnë fjalën, ndërkohë që zoti Lapaj nuk e mban. Sepse i bie që të kemi dy standarde,”- tha Shabani.
Kur u pyet nëse ka patur konflikte të mëhershme me Lapajn, Shabani u përgjigj se gjatë gjithë fushatës dhe jo vetëm ka pasur tensione. Por pendohet për mënyrën sesi ka reaguar duke u shprehur se do të kishte dashur që të mos akuzonte dhe të "kursente" imazhin e tyre tek qytetarët.
“Është një tension i natyrshëm në një komunitet demokratik. Jemi individë me identitetin dhe mendimet e tyre, kështu që ka pasur tension të vazhdueshëm dhe roli i drejtuesve është që t’i sheshojnë tensionet dhe të shohin përpara. Konteksti ku ka ndodhur sjellja e zotit Zeqir Kordhoni ka qenë që ne nuk kishim më një vizion për koalicionin. Jam kthyer duarbosh sa herë që kam shkuar për të negociuar për një marrëveshje paszgjedhore. Ka pasur mungesë dëshire ndoshta për të vazhduar bashkëpunimin. Kam dashur mos ta personalizojmë me një njeri koalicionin, vendosjen e një stafi dhe buxheti të përbashkët për koalicionin, por jam kthyer duarbosh dhe ka prodhuar tension. Kishim komunikim me zotin Lapaj dhe krejt papritur pashë që më kishte akuzuar publikisht. Në këtë presion që po më bëhej, reagova në mënyrë më të ashpër sesa do të kisha dashur unë të reagoja. Duke iu përgjigjur unë njësoj, i dhamë njerëzve një imazh që mund t’ia kishim kursyer. Keqardhja është që unë kam humbur një mik. Adriatik Lapajn e njoh që kur ishte student dhe më vjen keq që nuk mund të kemi më miqësi pas asaj që ka ndodhur,”-shtoi ndër të tjera Shabani.
Mesa duket tani ka gjetur një ndërmjetës për të bashkëpunuar me Lapajn.
“Tani, duhet të gjejmë një mënyrë që Adriatiku të japë dorëheqjen, as unë nuk do e marr, por ta marrë dikush tjetër. Me zotin Pano Soko kam folur dhe do përpiqemi ta zgjidhim, duke mos rikonfirmuar tendencat autoritare që nuk i shërbejnë kauzës.”
Në një moment ka komentuar edhe të afërmin e tij, Zeqir Kordhonin, i cili nisi gjithë këtë "trazirë" në politikën e paszgjedhjeve.
"Ai është aktivist që në vitin 2023. Ka mbledhur firma, ka shpërndarë fletëpalosje… Në irritim e sipër, ai tha “unë jam burrë, jo politikan”. Ai është ndjerë se Adriatiku nuk është treguar serioz me të. Unë jam përpjekur ta bind, por kur kanë nisur kërcënimet unë nuk e bind dot më, kam humbur mundësinë për të komunikuar dhe e fundit, nuk e di a është e drejtë që ta bind. Unë kam luftuar me modelet e dhunës dhe nuk e pranoj dot si normale që në një konflikt politik, zgjidhja të jetë dhuna, kërcënimi i fëmijëve, gruas, familjes… Nuk dua të hyj në detaje, por ka marrë kërcënime me jetë,”-shtoi politikani.
Mirëpo mesa duket, tashmë ka një emër që do të përfaqësojë koalicionin në Parlament.
“Ky është standard i tejkaluar edhe te partitë e vjetra që njiheshin si të dhunshme. Unë nuk dua ta përshkallëzoj më tej situatën dhe shpresoj që edhe zoti Kordhoni mos ta bëjë denoncimin. Dua ta shuaj sa më shpejt këtë. Nëse Kleana Xhuveli, e cila e ka revokuar dorëheqjen, ka dakordësinë e të gjithëve, të shkojë ajo në Parlament. Është vajzë e re, jurist dhe po aq e mirë sa Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj. Ajo përfaqëson “Shqipëria bëhet”. Nuk ka pasur kurrë pretendim nga Nisma Thurje për të marrë mandat. Zoti Zeqir Kordhoni nuk e ka menduar ndonjëherë të bëhet deputet duke qenë në fund të listës”, shtoi më tej Shabani./ZËRI