Politikë

"Bëra fushatë në diell e shi, isha pa gjumë"/ Flet për herë të parë Zeqir Kordhoni: S'dua të bëhem deputet, por s'ha bar!

Në shpjegimin e bërë, Kordhoni sqaron se para zgjedhjeve, Lapaj premtoi se nëse koalicioni me "Nisma Thurje" do të merrte vetëm një mandat, mandatin nuk do ta merrte vetë.

k.m.
"Bëra fushatë në diell e shi, isha pa gjumë"/ Flet
Zeqir Kordhoni dhe Adriatik Lapaj

TIRANË- Zeqir Kordhoni ka folur për herë të parë pas gjithë "rrëmujës" që ka shkaktuar këtë verë në politikë. Në një prononcim të dhënë për emisionin “Off the Record”, Kordhoni ka dërguar një mesazh duke shpjeguar se përse kishte kërkuar mandatin si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke "djegur" kështu kreun e "Shqipëria bëhet", Adriatik Lapaj. Në shpjegimin e bërë, Kordhoni sqaron se para zgjedhjeve, Lapaj premtoi se nëse koalicioni me "Nisma Thurje" do të merrte vetëm një mandat, mandatin nuk do ta merrte vetë.

Por pas zgjedhjeve, vendosi që ta merrte Lapaj mandatin si kandidati më i votuar në listën e hapur.

"Adriatiku na gënjeu! Unë jam njeri i thjeshtë me 1000 halle, por u angazhova në këtë fushatë se besova që po ndryshojmë Shqipërinë. Kur Adriatiku na dha llafin që po morëm vetëm një mandat, do jap dorëheqjen, e besova. Kam dalë në diell e shi, mblodha firma, shpërndava fletëpalosje, organizova takime, kam ndejt pa gjumë në numërim për të ruajtur votat, vetëm që të fitonim. Siç kisha dhënë llafin, në 11 Maj firmosa dorëheqjen. Por, kur pashë që Adriatiku u fsheh dhe nuk po e mbante fjalën, u ndjeva i përdorur. Unë s’jam kalama që të tallet njeri me mua. Unë nuk ha bar. Kur shkova në KQZ, Adriatiku në vend që të reflektonte, u soll si gangster. Unë nuk dua të bëhem deputet, por nuk mund të më shkelë njeri me këmbë. Adriatiku dhe të gjithë ta kuptojnë se nuk mund të tallen me njerëzit kështu. O thuaje fjalën dhe mbaje… ose (e dini vetë),"- tha Kordhoni.

Në Tiranë, fituese e mandatit të NSHB në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Ndaj sipas marrëveshjes, duhet që Dajko dhe të gjithë të tjerët të lënë mandatin që në Kuvend të futet Lapaj, por Zeqir Kordhoni, i renditur i 9-ti në listën e Tiranës duket se ka plane të tjera. Vendimin tashmë do ta marrë KQZ, por për qarkun e Tiranës, mandatet ende nuk janë ndarë./ZËRI

Poll

MOS HUMB