STRASBURG- Presidenti i Këshillit Ekonomik e Social Evropian, Oliver Röpke, ka deklaruar se reformat që po bëjnë shtetet kandidate, ndër to edhe Shqipëria, po arrijnë standarde edhe më të larta se ato në shtetet aktuale anëtare të BE-së.
“Ne shohim përparim të dukshëm me reformat e integrimit në disa shtete kandidate, megjithëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Në të vërtetë, në disa raste, standardet janë edhe më të larta se në vendet anëtare të BE-së. Nëse marrim reformën e gjyqësorit, shtete si Shqipëria po bëjnë hapa gjigantë përpara, megjithëse problemet vazhdojnë në fusha si transparenca dhe antikorrupsioni. Nëse ndalemi në lirinë e shtypit, për shembull, do të shohim se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë rezultate më të mira se Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Greqia, Hungaria, Italia, Malta dhe Rumania”,- u shpreh Oliver Röpke.
Sipas tij rritja e buxhetit financiar për vitet 2028-2034 është një mundësi e mirë për të përfshirë fondet e para-anëtarësimit, jo vetëm asistencën teknike, por edhe një mbështetje më organike për reformat në vendet kandidate./ZËRI