
TIRANË- Pas dakordësisë së arritur mes Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha dhe Partisë Socialiste, këtë të enjte do të konstituohet në Komisionin e Ligjeve grupi i dialogut për ligjet që kërkojnë shumicë votash, 3/5 dhe ligjet e nevojshme për rrugëtimin në Bashkimin Europian. Mbledhja do të nisë në orën 10:00.
Partia Demokratike do të përfaqësohet në komision nga Oerd Bylykbashi dhe Dhurata Çupi, Erisa Xhixho do të jetë nga radhët e Partisë së Lirisë. Çupi u shtua së fundmi në listë pas më herët Gazment Bardhi kishte lënë një vend bosh për një nga deputetët që mbështesin Lulzim Bashën, por nga pjesa tjetër e PD nuk u propozua asnjë emër, madje Basha e kundërshtoi marrëveshjen. Ndërkohë nga Partia Socialiste në komision do të jenë, Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu.
Kjo lëvizje vjen pas dakordësisë së rënë mes Gazment Bardhit dhe Bledi Çuçit në Konferencën e Kryetarëve. Ky grup pune pritet të marrë vendime me konsensus për ligjet që duan 84 vota. Përfshirë këtu dhe Reformën Zgjedhore apo Amnistinë. Kjo e fundit vijon të mbetet "peng" i mosdakortësisë politike mes mazhorancës dhe opozitës./ZËRI