
LUKSEMBURG- Kryeministri Edi Rama në mbyllje të konferencës së Luksemburgut dha edhe intervistën e fundit. Ai tha se anetarësimi i Shqipërisë në BE është pengesa e fundit që duhet të kalojë Shqipëria. Sipas tij Shqipëria ka tashmë një staf negociuesish të mirë dhe të konsoliduar. Ndërsa kur u pyet për opozitën, ai zgjodhi që mos të jepte asnjë përgjigje.
Kryeministri Edi Rama: Tani patjetër që kjo është një rrugë me pengesa. Pengesat në radhë të parë janë pengesa që duhet t’i kapërcejmë ne, sepse është një mal i tërë për t’u ngjitur tek ajo maja që unë e përsëris, ku Shqipëria duhet të ngjitet në 2030 në të gjitha aspektet dhe këtu nuk është fjala për ta marrë Shqipërinë për ta sjellë këtu.
Këtu është fjala për ta ndërtuar Evropën atje dhe për ta kthyer Shqipërinë në një vend që funksionon si një anëtar i BE me liri individuale, me rendin ligjor, me demokraci funksionale.
Përsa i përket opozitës unë nuk kam çfarë të them. Ne nuk mund as ta ndalojmë, as ta ndryshojmë, as ta ngadalësojmë dhe as të ndërhyjmë në procesin pa kthim të vendosjes së drejtësisë përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe natyrisht, heqja e duarve të politikës nga drejtësia ka krijuar dhembje, ka krijuar situata me të cilat ne nuk jemi mësuar dhe drejtësia ka goditur majtas dhe djathtas. Me shumë majtas sesa djathtas nëse e marrim në aspektin kuantitativ, por kjo është ajo që kemi kërkuar, kjo është ajo për të cilën kemi luftuar edhe kush nuk do të pranojë vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë dhe në fund është koka dhe jo muri që do bëjë prapa.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. Ndërsa në mars të 2020 Shqipëria mori aprovimin për hapjen e negociatave dhe në korrik të 2022 BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me vendin tonë. /ZËRI