
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar në disa prej mediave italiane, marrëveshjen që nënshkroi me kryeministren Giorgia Meloni, për të sjellë në Shqipëri emigrantët që kapen në Mesdhe. Kampet ku ata do të qëndrojnë do të ngrihen në Gjadër dhe në Shëngjin, ndërkohë që shpenzimet do të përballohen nga qeveria italiane. Gjatë një interviste për “La Repubblica”, Rama u pyet edhe për marrëdhëniet me kryeministren italiane, pavarësisht se ata janë dy politikanë që përfaqësojnë rryma të ndryshme politike.
“Para së gjithash, dhe këtë e them me shumë respekt dhe shumë mirënjohje, të gjithë kryeministrat italianë, pavarësisht nëse kanë qenë të majtë apo të djathtë, që nga momenti që Shqipëria është hapur, kanë qenë gjithmonë afër Shqipërisë dhe nuk e kanë pasur kurrë problem se këtu në Shqipëri ka qenë në pushtet e djathta apo e majta.
Pra, është përtej së majtës dhe të djathtës nëse mund ta them kështu. Së dyti, unë e di që Xhorxhia nuk është një beniamine e gazetës suaj, por un po ju them mendimin tim personal. Ajo nuk është një gjigande fizikisht, por sinqerisht kur ajo është në rrethana të tilla në këto samitet ndërkombëtare, unë po ju them se Italia është prezantuar vërtet shumë mirë, në sensin e masës. Së treti, çështja socialist apo i djathtë, për mua ka rëndësi më pak se pjesa njerëzore.
Kur një person është i vërtetë, kur një person thotë atë që mendon dhe mendon atë që thotë, kur një person kërkon t’i bëjë gjërat dhe pastaj mund të diskutohet se si i bën gjërat, është baza që ka rëndësi për një raport sepse në marrëdhëniet ndërkombëtare ne nuk mund të vendosim se kush zgjidhet në një vend tjetër nëse është i familjes sonë politike apo nëse është i një familjeje tjetër politike, por duhet të kërkojmë të bëjmë gjithmonë më të mirën e mundshme.
Sipas normës së gjykimit politik duhet të jetë më e vështirë për një të së djathtës të jetë afër një socialisti. Socialistët e kanë treguar gjithmonë që janë më fleksibël në çështjet e hapjes dhe të zemrës. Dhe kjo është një gjë e mirë për Xhorxhia edhe pse “La Repubblica” nuk do të jetë e kënaqur” – tha Rama.
Njëri prej të pranishmëve në panel e ka pyetur Ramën se çfarë mendon për ndarjen e Melonit nga partneri i saj, Andrea Giambruno, i cili e shoqëroi Melonin gjatë pushimeve të saj në Vlorë. Rama nuk ka preferuar që të komentojë mbi ndarjen e tyre, duke e konsideruar si një veprim normal që mund të ndodhë brenda një çifti, dhe se ai vetë nuk e mbante veten për jo-mëkatar.
“Unë jam rritur në një familje ku që shumë, shumë i vogël isha nën kujdesin e një gjysheje katolike. Dhe ajo më ka mësuar që i vogël një shprehje që në këto raste nuk mund ta harroj: “Kush nuk është mëkatar, të hedhë gurin e parë”. Unë nuk e mbaj veten për jo-mëkatar dhe kështu do të isha i rezervuar të jepja gjykime kur mes personash, apo çiftesh mes të martuarish apo bashkëjetuesish ndodhin këto gjera sepse pastaj nuk bën mirë të gjykosh. Dhe këtë e them pikërisht nga eksperienca ime” – tha Rama.