Politikë

Meloni do vizitojë Tiranën, TV britanik zbardh detaje nga marrëveshja për emigrantët

Sky News ka zbardhur detaje nga marrëveshja për emigrantët, e arritur mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Georgia Meloni. Kampi i parë i emigrantëve në Shqipëri pritet të hapet në maj 2024.

D.XH
Meloni do vizitojë Tiranën, TV britanik zbardh detaje nga
Rama Meloni

ANGLI – Televizioni britanik Sky News ka publikuar detaje të reja nga marrëveshja për emigrantët e arritur mes kryeministres së Italisë Georgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Dokumentet e reja të shqyrtuara nga televizioni britanik, tregojnë se marrëveshja e Italisë për emigrantët me Shqipërinë është shumë më pak radikale sesa plani i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar njerëz në Ruanda.

Marrëveshja për emigrantët, e shpallur nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni së bashku me liderin shqiptar Edi Rama, parashikon se deri në 3,000 azilkërkues mund të dërgohen në Shqipëri çdo muaj, pasi janë shpëtuar fillimisht nga anijet italiane, si rojet bregdetare apo policia.

Dokumentet e bëjnë të qartë se, ndryshe nga plani i Mbretërisë së Bashkuar për Ruandën, marrëveshja e përbashkët mbulon vetëm periudhën gjatë së cilës po shqyrtohen aplikimet për azil dhe një periudhë të shkurtër më pas.

Nëse një migranti i jepet azil, atëherë personi do të çohej në Itali.

Plani i Mbretërisë së Bashkuar, në të kundërt, përcakton që një azilkërkues i suksesshëm do të detyrohej të qëndronte në Ruandë.

Marrëveshja për emigrantët thotë gjithashtu se nëse rezulton e pamundur të dërgohet dikush në vendin e origjinës, atëherë do të kthehet sërish në Itali pas një periudhe të caktuar kohe, që besohet të jetë 40 ditë.

Marrëveshja u arrit mes zonjës Meloni dhe kryeministrit shqiptar Rama. Dy zëvendëskryeministrat e Melonit, Antonio Tajani dhe Matteo Salvini, nuk ishin në dijeni të marrëveshjes deri pak para shpalljes së saj.

Italia do të paguajë për ndërtimin e qendrave të migrimit dhe gjithashtu do të ndajë një fond prej 100 milion € (87 milion £) për të mbuluar çdo kosto që Shqipëria mund të ketë në lidhje me këtë çështje.

Është rënë dakord që numri i përgjithshëm i emigrantëve të strehuar në këto qendra të mos shkojë mbi 3000 në muaj. Dokumenti i marrëveshjes bën gjithashtu të qartë se synon të promovojë bashkëpunimin dypalësh në të gjithë sektorët në kuadër të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian".

Shqipëria është vend kandidat për t'u anëtarësuar në BE, pasi ka aplikuar për herë të parë në vitin 2009. BE-ja ka kërkuar më shumë detaje për planin për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, pas dyshimeve nëse marrëveshja respekton ligjin evropian.

Tajani ka këmbëngulur se marrëveshja është në përputhje me ligjet e BE, ndërsa Elly Schlein, kreu i Partisë Demokratike të opozitës, e quajti atë "një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe evropian".

Kryeministrja italiane Meloni thuhet se po planifikon të udhëtojë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në pranverë dhe dëshiron që kampi i parë të hapet në maj 2024 - pak para zgjedhjeve evropiane./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB