
TIRANË- Në daljen e parë televizive, Argita Malltezi tregoi anën e saj të historisë sa i takon arrestimit të të shoqit, dhe hetimeve për babain e saj ish-president dhe kryeministër. Në emisionin “Top Story”, Malltezi e akuzoi SPAK si një altoparlant të Edi Ramës, pasi sipas saj dosja është ngritur mbi një dëshmi të rreme të Tulant Ballës. Argita Malltezi zbuloi se në 30 Gusht të këtij viti, bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi kishte bërë një kallëzim për Taulant Ballën, pasi kishte dhënë dëshmi të rreme në SPAK.
Malltezi i referohej këtu një deklarate të bërë edhe publikisht nga Balla, që sipas tij familja Begeja kishte marrë dëmshpërblim nga qeveria italiane në vitin 1940 për truallin ku u ngrit më pas kompleksi Partizani, gjë që sipas vajzës së ish-kryeministrit ishte e rreme.
Malltezi tha se në fakt familjet që kishin marrë shpërblim në vitet '40 ishin kufitare me familjet që kishin në pronësi truallin e ish-kompleksit Partizani. E pyetur nga gazetarët në studio se pse kallëzimi ishte bërë me kaq vonesë, pra rreth 3 vite pasi Balla kishte çuar në SPAK dosjen, Malltezi tha se familja e saj e konsideron të drejtë të prokurorisë nisjen e hetimeve për këdo.
“Arsyeja që nuk është bërë më parë kallëzimi është se e konsiderojmë të drejtën e prokurorisë për të hetuar për çdo lloj çështje në çdo periudhë kohore. Kur u bënë tre vite ishte e qartë se dosja nisi të përdorej politikisht se asgjë e re nuk po ndodhte më. Për këtë arsye dorëzuam një kallëzim penal ndaj Taulant Ballës për kallëzim të rremë. Ai e dinte që ishin të rreme, kryesorja është çështja e origjinës së pronës, ai doli para mediave që prona është shpronësuar nga italianët në vitin 1940, është gënjeshtër, SPAK u bë altoparlant i sulmeve të Edi Ramës. A kishte mundësi SPAK ta verifikonte këtë? Absolutisht!
Ajo letër e arkivit të shtetit që përmendet në dosje përmend një nga trashëgimtarët e familjeve të shpronësuara, toka e tyre është larg, familjarët kanë dokumente zyrtare që tregojnë se janë pronarë të ’43, ‘46 janë shpronësuar nga komunistët. Kur dokumenti është i 46-ës që tregon se janë pronarë, do të thotë se nuk janë shpronësuar në ’40-ën.
E nisën në bazë të kësaj, SPAK nuk është drejtësi, por sulm kamxhik politik. Nuk e kemi marrë dosjen e Taulant Ballës, nuk kemi marrë asgjë veç vendimit, është kërkuar zyrtarisht, nuk mohohet, por ne na kalon afati i apelimit. Ne kemi bërë apelin për të mos humbur procedurat, në lidhje me atë që më pyetët, nuk kemi probleme me hetimin, Jamarbër ka ngritur padi civile ndaj mediave ka bërë prononcime në Facebook, është çështje sulmi politik”, u shpreh Malltezi.
Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha tha se përballja me drejtësinë do të jetë një rrugë e gjatë, por që familja e saj është e gatshmë që të shkojë deri në fund të kësaj rruge. Nga ana tjetër, Malltezi e konsideroi të paligjshëm arrestimin e bashkëshortit të saj, sa kohë që prokuroria nuk e ka marrë atë asnjëherë në pyetje në lidhje me akuzat që i janë ngritur./Zëri.ai