
TIRANË- Tani që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimin për institucionet që japin kredi të këqija, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u kujdes që të jepte një mesazh. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sejko u shpreh se ai ka postin e guvernatorit, e deri më tani ka aprovuar gjithë rekomandimet që i janë bërë nga instancat e tjera të BSH-së. Pra, me pak fjalë po delegon përgjegjësinë e tij në hallkat e tjera të Bankës së Shqipërisë.
"Ka një keqkuptim nga Prokuroria e Tiranës, e ka çuar dosjen në SPAK. Ne jemi të hapur për t'u sqaruar shkresat dokumentat e Këshillit Mbikqyrës. Dua t'ju sqaroj edhe një gjë: në rolin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë vendimarrja kur vjen tek unë i ka kaluar të gjitha hallkat e tjera të Bankës së Shqipërisë. Nuk është guvernatori as inspektor, as drejtor, as rregullator por kryetar i Këshillit Mbikqyrës. E gjithë vendimmarrja ka qenë në bazë të propozimeve të departamenteve të Bankës së Shqipërisë,"- tha Gent Sejko./ZËRI