Politikë

DOSJA 5D/ Lala: SPAK po heton rolin e Veliajt! Janë gjetur biseda të tij me drejtorët

Sipas Lalës, ka komunikime të Veliajt me ish-vartësit e tij, të cilat po hetohen nëse përbëjnë vepër penale.

E.K
DOSJA 5D/ Lala: SPAK po heton rolin e Veliajt! Janë gjetur biseda të
Gazetarja Klodiana Lala, ish-drejtorët e arrestuar dhe Veliaj

TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar këtë të hënë se kryebashkiaku i Tiranës është në listën e personave që pritet të merren në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të dosjes “5D”, që çoi në arrestimin e tre drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë, Redian Molla, Maringlen Qato dhe Taulant Tusha. Sipas Lalës, ka komunikime të Veliajt me ish-vartësit e tij, të cilat po hetohen nëse përbëjnë vepër penale. Deklaratën gazetarja Lala e bëri e ftuar në “Të paEkspozuarit”.

Klodiana Lala: Zoti Veliaj është në listën e personave që do të pyeten. Deri tani nuk ka fletëthirrje zyrtare. Prokuroria po vijon me zbërthimin e telefonave. Po verifikohen edhe tenderat që dyshohet se janë zhvilluar në institucionet e tjera. Veliaj është listuar si person që do të merret në pyetje si person në dijeni, më pas do të varet nga SPAK. A është nën hetim? Është nën hetim roli i tij, për të parë nëse ka qenë autoritet kontraktor, që në disa raste rezulton se ka qenë Bashkia Tiranë. Por edhe për të parë kontaktet. Gjatë kontrolleve në kompaninë 5D, mes drejtuesve ka kontakte edhe me zotin Veliaj që do të shihen nëse hyjnë në kategorinë e veprave penale. Hetime të tjera në bashki, dimë se Veliaj po hetohet në kuadër të inceneratorit. Taulant Tushe është në arrest me burg. Në kuadër të këtij hetimi është ushtruar kontroll në banesat e disa zyrtarëve shumë të lartë, janë marrë telefona dhe materiale. Taulant Tusha ka masë sigurie edhe për dosjen 5D, bashkë me Qaton dhe Mollën. Prokuroria është fokusuar fillimisht te tenderat në Bashki dhe në ndërmarrjet në varësi. Tani po sekuestron praktika të tenderave në qytete të tjera, Durrës, Shkodër, etj, ku 5D ka garuar për të fituar tendera.

Çfarë është dosja “5D”?

Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”.  “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.

Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.

Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.

Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së./ZËRI

Poll

MOS HUMB