
TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj ka deklaruar se nuk është thirrur në SPAK sa i përket dosjes 5D, ku në pranga u vendosën ish-drejtorët e Bashkisë. Ai u shpreh në 'Top Stry' se pasi ka dalë nga spitali ka mësuar për atë që kishte ndodhur, ndërsa tha se në 11 mijë veta staf në bashki, nuk mund të ketë edhe njerëz që kanë probleme me drejtësinë. Ndër të tjera kryebashkiaku theksoi se vetë Bashkia i ka vënë në dispozicion Prokurorisë çdo dokument që ka kërkuar.
Veliaj: Ka një procedurë si kompanitë garojnë, dhe në 1 mijë gara, apo 11 mijë veta staf në bashki, ka një probabilitet që të ketë probleme. Pas çdo sfide ka një oportunitet. Kur dola nga spitali zbulova problemin që kishte organizata ime. Në 1 mijë procedura që ka bashkia, fakti që sot edhe për 1% jo vetëm që nuk i bëhet rezistencë, por shkresat në Prokurori cohën vetë nga bashkia, çdo gjë që i kërkon Prokuroria. I njoh dhe i kam bashkëpunëtor, kemi bërë punë të jashtëzakonshme bashkë, Taulanti ka bërë 40 shkolla në Tiranë…Sot gjykata dhe Prokuroria janë komplet tjetër gjë nga përpara. Nga një situatë ku askush tjetër nuk dilte para drejtësisë, jemi në një situatë ku kryeministri, kryetari i bashkisë e mbështesin këtë punë. Jemi institucioni rekord që kthen përgjigje të plota, ndonjëherë çojmë më shumë seç duhet. Si nuk më pyeti asnjë media që e nxorri lajmin e thirrjes? Jam i gatshëm të shkojë në SPAK nëse më therret, po nuk jam thirrur. Jemi në bashkëpunim për çdo gjë që na kërkohet.
Çfarë është dosja “5D”?
Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”. “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.
Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së.