
RRËSHEN- Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Rrëshen, në shkollën profesionale, së bashku me ministrin e drejtësisë Ulsi Manja, por edhe kryebashkiakun demokrat të Mirditës, Albert Mëlyshi. Në këtë shkollë janë aktualisht 400 studentë, ndërkohë që shumica e tyre sipas Dom Gjergj Metës e kanë të garantuar punësimin, pasi tregu është gjithnjë e më shumë në kërkim të profesionistëve. Rama tha se do të ketë një partneritet publik-privat me Kishën, për të zgjeruar investimet në këtë shkollë.
“Në shkollën profesionale ku falë angazhimit të kishës katolike dhe pasionit të admirueshëm të Dom Gjergj Metës, është krijuar një sistem i mirëorganizuar për studimet në Hoteleri – Turizëm, Elektroteknikë, Informatikë, Shërbime Mjetesh e Transporti, Instalues Sistemesh Hidrosanitare për vajza e djem nga Kurbini, Lezha, Fushë-Kruja, Mati, Kukësi, Bulqiza, Dibra dhe ku qeveria do të përfshihet në një partneritet publik-privat me kishën, me një investim të domosdoshëm për të zgjeruar kapacitetin e shkollës, si edhe për të krijuar kushte optimale jetese për nxënësit, mes hapësirave të shkollimit, studimit, edukimit fizik, argëtimit, fjetjes e ushqimit”, shkruan Rama në postimin e tij.
Rama tha se arsimi profesional është një prioritet, dhe pyeti drejtuesin e kësaj shkolle, për nevojat që duhet të përmbushë qeveria. Kryebashkiaku i Mirditës, Mëlyshi, është një ndër të paktët të zgjedhur nga radhët e opozitës në 62 bashkitë e vendit./ZËRI