
TIRANË- Pavarësisht se ka 3 mandate si kryeministër, Edi Rama ka shfaqur etjen dhe për një 4-vjeçar të ri në krye të qeverisë, për të përmbushur objektivat e shpallura për Shqipërinë e 2030-tës. I pranishëm gjatë pasdites së djeshme në qytetin e Elbasanit, ku mori pjesë në mbledhjet e organizatave të socialistëve, Rama kërkoi nga të gjithë të pranishmit që të ndezin motorët për zgjedhjet e vitit të ardhshë, duke lënë dhe porosi të qarta…
Rama kërkoi që në zgjedhjet e 2025-ës, socialistët të tentojnë që të marrin një fitore edhe më të thellë se 2021, pse jo për të arritur një shumicë të cilësuar në Kuvend. Rama iu drejtua deputetëve, drejtuesve të degëve, dhe militantëve, që në këto muaj të mbetur deri në zgjedhje, të bëhet gjithyçka për rienergjizimin e bazës socialiste, e madje për këtë paralajmëroi një tur kombëtar.
“Ne në 2025 duhet të marrim një fitore më të madhe se sa e mëparshmja”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se turi kombëtar do të bëhet me bazën socialiste, për ti dhënë një frymë të re Partisë, e cila do të përgatitet dhe për zgjedhjet e brendshme.
“Jo rastësisht unë erdha për të takuar dy organizata të PS, dhe jo vetëm drejtuesit, deputetë me të cilët takohemi zakonisht. Dhe po kështu do të shkoj në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve për të takuar organizata socialiste. Falë faktet që kemi punuar seriozisht, që jemi angazhuar më shumë se të tjerët kemi arritur diçka që në fillim kur morëm këtë detyrë dukej e pamundur. Kemi arritur që të marrim dy mandate me një shumicë të pavarur nga të tjerët. PS do jetë në gjendje që të ruajë lidershipin. Na duhet një rienergjizim i organizatave, strukturave, procesit qeverisës”, vijoi Rama fjalën e tij.
Zgjedhjet e vitit të ardhshëm i gjejnë socialistët me një opozitës të ndarë në fraksione, ndërkohë që edhe rreth vetes vërtiten disa probleme, që kanë të bëjnë kryesisht me ministra apo ish-ministra me probleme me drejtësinë. Megjithatë, pavarësisht problemeve, socialistët në bazë duken shumë më solidë në raport me demokratët, që enden akoma në dyert e gjykatave, në pritje për të legjitimuar kryetarin dhe vulën e tyre. /ZËRI