
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë sot një thirrje nga ballkoni i tij. Gjatë fjalës në tubimin qytetar, ish-kryeminsitri Sali Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, që të japë dorëheqjen. Sipas Berishës, në vend duhet të ketë një qeveri teknike në mënyrë që të ndodhë edhe rotacioni i pushtetit.
"Të gjitha këto do përkeqësohen, e keqja nuk ka fund në qoftë se ne nuk i japim fund asaj. Dhe kjo e keqe është Edi Rama me vjedhjet e tij, me mashtrimet e tij, me rrëmbimin e votës së shqiptarëve. Ndaj dhe u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen për një qeveri teknike si kushti i të gjitha kushteve që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Të votojnë me dinjitet, të zgjedhin ata drejtuesit e tyre. Si kushti i të gjitha kushteve për të vendosur barazinë para ligjit. Për t’u dhënë shqiptarëve sistemin e drejtësisë që meritojnë. A mund të rrimë ne soditës para kësaj situate? Jo, kurrë! Ndaj dhe duhet të ngrihemi në betejën pa kthim, në mosbindje civile në çdo qytet, në çdo skaj të Shqipërisë. Për një qeveri teknike. Për betejë, rotacionin e pushtetit. Pa qeveri teknike, zgjedhje të lira nuk ka. Pa qeveri teknike, rotacion pushteti në Shqipëri nuk ka. Pa qeveri teknike, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, Shqipëria mbetet një vend i ndëshkuar, një vend që braktiset nga shqiptarët. Ndaj dhe ftoj shqiptarët, ftoj çdo shqiptar të frymëzohet nga ju, të ndjekë shembullin tuaj, të vazhdojmë betejën tonë, të mbjellim shpresë dhe besim në të katër anët e vendit. Asgjë nuk na ndan ne nga fitorja jonë. Asgjë nuk na ndan ne nga realizimi i qëllimeve tona. Ne do fitojmë! Ndaj dhe edhe njëherë, mirënjohjen më të pakufishme. Edhe njëherë, Edi Ramës, jep dorëheqjen sa nuk është vonë. Largohu se forcë në botë nuk mund të pengojë shqiptarët pa rikthyer votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti, kthetrat e këtyre hajdutëve që s’i ka pasur kurrë në histori Shqipëria as Europa,"-tha Berisha.
Por kërkesa e tij, ende nuk e ka marrë asnjë përgjigje nga ana e kryeministrit Edi Rama./ZËRI