TIRANË- Kanë mbëritur në Kuvend deputetët e Partisë Demokratike. Mes personave të mbledhur në protestën e paralajmëruar për ditën e sotme, janë edhe Ervin Salianji dhe Ramadan Likaj. Dy deputetët e PD-së janë në mesin e të përjashtuarve nga seancat parlamentare.
Këtë të hënë, deputetët e Shqipërisë rikthehen në seancë plenare. Por, PD ka thirrur një protestë përpara parlamentit. Kuvendi ka marrë masa gjatë ditës së sotme, teksa në oborrin e parlamentit janë futur dy furgona të FNSH-së dhe autobote me ujë.
Gjithashtu, për të pasur një protestë sa më të qetë, janë angazhuar 400 efektivë nga Policia e Tiranës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Masat janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në koordinim me DVP Tiranë. Në parametrin e Kuvendit janë instaluar kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar çdo lëvizje të protestuesve. RENEA gjithashtu është në gatishmëri, nëse ka incidente.
Deputeti i PD-së Flamur Noka deklaroi se është vetëm fillimi i protestave, që do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Kjo do të jetë edhe protesta pa liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi prej datës 30 dhjetor 2023, ai ndodhet në masën e sigurisë të arrestit të shtëpisë. Ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi tha se opozita nuk tërhiqet nga protestat e saj./ZËRI/