
TIRANË- Deputetët e PD-së pas përplasjeve me Gardën dhe hyrjes në ambientet e Kryesisë nga dritarja, kanë ndërprerë punimet e dy komisioneve parlamentare. Fillimisht ata kanë hyrë në Komisionin e Ligjeve ku kanë pasur dhe një debat të ashpër me kolegët e tyre socialistë, dhe më pas kanë hyrë në Komisionin e Shëndetësisë, duke përsëritur të njëjtën skenë.
Më herët socialistët jo pa shkak kishin thirrur mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave online përmes platformës ‘zoom’. Në mesditë janë parashikuar të mbahen dhe dy komisione të tjera, për politikën e jashtme dhe veprimtarinë prodhuese, mbledhjet e të cilave janë në pikëpyetje, për shkak të vendosshmërisë së opozitës për të bllokuar jetën parlamentare.
Ç'ndodhi në Kuvend?
Deputetët e PD-së u paraqitën në hyrje të Kuvendit këtë mëngjes, pasi ishin thirrur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, me të cili do të zhvillonin mbledhjen e grupit. Por, duke qenë se tetë prej tyre janë përjashtuar pas trazirave në seancat plenare, Garda nuk i ka lënë të futen brenda. Disa prej tyre janë future nga dritarja.