Politikë

SPAK goditi "5D", Rama: I bashkohem qëndrimit të Veliajt, kush shkel misionin tonë, përgjigjet para drejtësisë

Sipas Ramës, arrestimi i drejtorëve dëshmon se Partia Socialiste nuk e kontrollon SPAK-un dhe se Drejtësia e Re duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet.

F.m
SPAK goditi "5D", Rama: I bashkohem qëndrimit të Veliajt,
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë pasdite reagimet e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili në deklaratat e thëna publikisht kërkoi që drejtësia të vijonte me analizimin e fakteve për drejtorët e ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë që janë vënë në pranga në kuadër të dosjes së etiketuar si ‘5D’. Në një reagim të gjatë në profilin e tij zyrtar në Facebook, Rama shprehet se i bashkohet çdo fjale të Veliajt duke shtuar se goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdo në radhët e ekzekutivit, nuk i përjetojnë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë në luftën kundër korrupsionit. Sipas Ramës, arrestimi i drejtorëve dëshmon se Partia Socialiste nuk e kontrollon SPAK-un dhe se Drejtësia e Re duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama:

S’mund të jem më shumë dakord me sa u tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj qytetarëve të Tiranës, në mesazhin e drejtëpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë!

* Mendësia e vjetër komuniste, fatkeqësisht ende shumë e pranishme në mënyrën e të parit të tjetrit si armiku që duhet shkatërruar (falë trashëgimisë së hidhur në një segment të tërë të politikës e të medias shqiptare të një komunisti fanatik, të konvertuar në liderin trushpëlarës të krejt atij segmenti që nga dita e parë e pluralizmit deri sot) nakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë! Po kësaj s’kemi ç’i bëjmë për sa kohë shpifjet e politikanëve dhe denigrimet e killerave mediatikë, janë bërë pjesë e jetës sonë publike të kthyer në një xhungël ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku nuk debatohet me argumenta po vetëm propagandohet me akuza e bërtitet për të mos lënë tjetrin të flasë, ku liria e shprehjes është bërë liri e shpifjes, ku shpifësit përveçse me votë nuk ndëshkohen as me ligj e as me zakon, po vetëm zaptojnë me pafytyrësi që edhe në Kanunin e vjetër të shqiptarëve, edhe në çdo libër edukate të qytetërimit demokratik, konsiderohet shkelje e pafalshme. 

 Por ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë; goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!

* Kështu që edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un, as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!

* Ne jemi në këtë detyrë për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara e ku lavdi Zotit, popullit që e mbështeti fuqimisht hapjen e rrugës së Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste, e cila i hyri detit në këmbë për ta hapur këtë rrugë, tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të!

* Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion

Sot, në një konferencë të jashtëzakonshme, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mbejti një qëndrim publik, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, në kuadër të dosjes së SPAK, të etiketuar ‘5D’. Veliaj tha se ai nuk do të ndalej për të analizuar faktet apo të dhënat që ka në dorë drejtësia, ama nuk mohoi bashkëpunimin me një pjesë të emrave të përmendur në dosje, në punë që sipas tij i kanë ndryshuar fytyrën qytetit të Tiranës. Edhe më herët, Veliaj i ka qëndruar të njëjtit version, madje ka shtuar se përgjimet e publikuara ku lakohej dhe emri i tij si pronari i një hoteli, janë gjëja më absurd që ka dëgjuar.

Çfarë është dosja “5D”?

Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”.  “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.

Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.

Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.

Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së.

 

Poll

MOS HUMB