Politikë

Protesta para bashkisë/ Velaj i risjell akuzat ndaj Nokës e Berishës: I shau. Bardhi: Batuta! Jep llogari

Teksa komentonte të pranishmit në protestë, Veliaj risolli në vëmendje akuzat e pak javëve më parë, kur Gazmend Bardhi akuzonte Flamur Nokën për lidhje me oligarkët dhe fshehje të vilës 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit.

f.t
Protesta para bashkisë/ Velaj i risjell akuzat ndaj Nokës e
GAZMENT BARDHI DHE ERJON VELIAJ

TIRANË- Protesta e zhvilluar para Bashkisë së Tiranës ka ngjallur reagime politike. Pas protestës, në një takim pune, Veliaj u shpreh se opozita kërkon që të vijnë ata në pushtet, por sipas tij me me vota nuk bëhet fjalë, duke iu kujtuar 21 janarin dhe 'Gërdecin'. Teksa komentonte të pranishmit në protestë, Veliaj risolli në vëmendje akuzat e pak javëve më parë, kur Gazmend Bardhi akuzonte Flamur Nokën për lidhje me oligarkët dhe fshehje të vilës 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit.

“Dua që të gjithë ta mbajmë kokën lart, të ecim me vendosmëri përpara! Kolegëve tanë iu uroj shumë kurajë dhe shumë vërtetësi për të sqaruar të gjitha këto problematika. Por, qyteti duhet të ecë përpara! Ky qytet ka 1000 kantiere të hapura. Ne duhet të mbarojmë urgjent pallatet në Kombinat, lotin e parë me 150 apartamente, lotin e dytë me 200 të tjera, që të strehojmë 350 familjet e para. Ju kujtohet njerëzve Kombinati, kur Ilir Meta me Monikën, para se të kërcenin sot para Bashkisë dhe të bënin paralele aty, bënin paralele me jetën e njerëzve në Kombinat? Na futën në gjyqe pa fund, vetëm që mos të bëheshin ato pallate. Por tani që pallatet po mbarojnë, duhet ta kuptojnë që janë për njerëzit. Ka punë që kanë nevojë edhe të shpjegohen, siç është rasti për t’i shpjeguar edhe përpara drejtësisë.

Por, ta dëgjosh këtë nga Gaz Bardhi dhe Flamur Noka… Flamur Noka me një fjalor me 13 fjalë e gjysmë, vetëm hungërin në Parlament, hungërin në rrugë. Është një njeri që nuk di të artikulojë dot një fjali korrekte nga fillimi deri në fund. Dhe ti thua, t’i lësh Flamur Nokës Bashkinë e Tiranës!? Gaz Bardhi i thoshte publikisht: “Ti bleve vilë 700 mijë euro” dhe pastaj këtë e zgjodhën kryetar. Pra, sa më shumë shpif, këta të zgjedhin kryetarin e tyre. Gaz Bardhi, pasi i poshtëroi të gjithë, Saliut i tha je “babi i Zenit”, por pastaj thanë: “Ky që na poshtëroi të gjithëve, ky që na shau, ky që na paditi, këtë do bëjmë kryetar, se ky është më i miri ndër nesh”.

I shikoja të dy bashkë sot dhe m’u kujtua hera e fundit që i pashë përballë, pështynin njëri-tjetrin, duke treguar vilat që kishin marrë nga bizneset. Sot flasin këta për transparence!? Thonë "ikni ju të vijmë ne”! Me vota nuk bëhet fjalë fare të vijnë dhe as nuk kanë për të ardhur ndonjëherë. Pra, t’i lësh Bashkinë e Tiranës Shkëlzenit dhe Argitës, ata ta hedhin në erë siç bënë me Gërdecin. Kanë shumë kurajo që dalin, teksa vetë janë të paditur në SPAK, vetë janë me masa sigurie, vetë thërrasin: “Lironi babin”. kanë kurajo për një gjë, se hetimi nuk ka përfunduar ende, ne duhet ta shohim në gjykatë nëse do të provohet ose pretendimi i prokurorisë, ose pafajësia e ish-kolegëve tanë. Por, ta dëgjosh këtë nga goja e Argitës dhe Shkëlzenit, që vranë njerez, dhe të thuash “të lëmë bashkinë që të vijnë ta hedhin në erë si Gërdecin”, kjo është ku thërret qameti. Kjo është t’ia fyesh inteligjencën njerëzve në mënyrë spektakolare”, deklaroi Veliaj.

Ndërkohë kreu i grupit parlamentat në PD, Gazment Bardhi, me anë të një postimi në rrjete sociale shkruan se askush që kapet në flagrancë duke abuzuar me pushtetin dhe buxhetin e qytetarëve nuk mund të vazhdojë të rrijë në detyrë. Kreu i grupit parlamentar u shpreh gjithashtu se nuk do jetë e largët dita ku do i duhet që shërbimet shëndetësore të mos i marrë dot nga QSUT, por nga Spitali i Burgut!

Postimi i Bardhit:

Ditën që Gjykata Antikorrupsion urdhëroi SPAK të hetojë edhe Erjon Veliajn për aferën 22 milion euro të kompanisë “5D-rejtora”, ky i fundit njoftoi se ishte shtruar në QSUT për një ndërhyrje shëndetësore. Nuk do jetë e largët dita ku do i duhet që shërbimet shëndetësore të mos i marrë dot nga QSUT, por nga Spitali i Burgut!
Deri atëherë, në vend të fjalëve boshe, në vend të batutave pa vlerë, duhet ti jap llogari qytetarëve të Tiranës, se përse milionat e Buxhetit të qytetit të tyre, shkonin në xhepat e 5 bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij. Edhe pse ishte në dijeni, e mohoi publikisht këtë skandal prej 1 viti tani, duke u përpjekur ta mbrojë publikisht. Fshehja ndaj së vërtetës të bën të mjerë dhe mjerimi sot ka emrin e Kryebashkiakut 5D të Tiranës. Kërkesa e sotme e qytetarëve të Tiranës për largimin e tij nga zyra e qytetarit të parë të kryeqytetit është legjitime. Askush që kapet në flagrancë duke abuzuar me pushtetin dhe buxhetin e qytetarëve, nuk mund të vazhdojë të rrijë në detyrë. Hajnat dhe abuzuesit me detyrën e kanë vendin në burg!

Opozita doli sot në protestë para Bashkisë së Tiranës. Qytetarët u mblodhën para Bashkisë, ndërsa mes tyre nuk mungoi as vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Po ashtu, nuk munguan as deputetë të Partisë Demokratike, si Gazment, Bardhi; Flamur Noka; Saimir Korreshi, etj. Nuk mungoi as ish-kandidati i koalicionit "Bashkë fitojmë", Belind Këlliçi. Këshilltarët opozitarë dhe disa protestues tentuan të futen brenda bashkisë për të dorëzuar një kërkesë për mbledhje urgjente të këshillit, por mes tensionit, nuk u lejuan nga Policia./ZËRI

Poll

MOS HUMB