
GREQI- Këtë vit mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe Nea Demokratia (Demokracia e Re) me në krye kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili ka përgatitur fletën e votimit. Si duket Mitsotakis, përmes forcës politike Demokracia e Re, me të cilën ai udhëheq qeverinë e vendit fqinj, do të kandidojë në zgjedhjet evropiane edhe Fredi Belerin. Madje, në Athinë ky po cilësohet një “fakt i kryer”, raportojnë mediat e huaja.
Kryeministrit grek mori sugjerime të ngutshme për të përfshirë Belerin në mesin e kandidatëve, për të rikthyer pjesërisht imazhin e prishur të qeverisë, pas asaj që nga shtypi grek etiketohet si “një fiasko”, me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili qëndroi jashtë çështjes ligjore të Belerit dhe nuk ndërhyri për ta liruar atë, pavarësisht presionit grek.
Po ashtu thuhet se edhe të afërmit e të Fredi Belerit konfirmojnë se kanë pasur kontakte në lidhje me këtë çështje me Nea Demokratia. Madje ata ndër të tjera shtojnë se nuk ka asnjë pengesë ligjore që Beleri të kandidojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Gjykata e Posaçme vendosi më 5 mars dënimin me dy vite burg për të. Beleri është shpallur fajtor për 'korrupsion aktiv' në zgjedhjet lokale të 2023-it. Çështja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u kthye në arenë përplasjesh mes Tiranës dhe Athinës. Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zhvillohen çdo pesë vjet me votim universal për të rriturit me më shumë se 400 milionë njerëz me të drejtë vote, ato janë zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë pas zgjedhjeve të Indisë. Deri në vitin 2019, 751 eurodeputetë u zgjodhën në Parlamentin Evropian. Partitë politike evropiane kanë të drejtë të bëjnë fushatë në mbarë BE-në për zgjedhjet evropiane. Ditët e zgjedhjeve janë 4 ditë radhazi. Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në 2019 dhe zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen këtë vit./ZËRI