
TIRANË- Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për masat e sigurisë, për drejtorët e Bashkisë së Tiranës të arrestuar në kuadër të hetimeve në dosjen “5D”. GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës që përfunduan pas hekurave te burgut për korrupsion. Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”. Personat e caktuar për masën 'Detyrim paraqitje' duhet të shkojnë në SPAK të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 13:00.
Ndërkohë pas vendimit të gjykatë, avokati i Mariglen Qatos tha se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale. Ai tha se Qato akuzohet për veprën penale të korrupsionit dhe mos deklarimit të të ardhurave.
“Ai akuzohet për veprën penale të korrupsionit dhe mos deklarimit të të ardhurave. Sipas mendimit tonë atje nuk ka vepër penale. Pronari i kompanisë nuk merr tendera, i merr kompania. Kompania “5D” ka marrë tendera në të gjithë institucionet, përfshi dhe bashkinë e Tiranës. Por natyrisht vepra penale për të cilën ato akuzohen ekziston. Prokuroria në rastin konkret nuk ka ngritur akuza për korrupsion aktiv, por pasiv. Nuk foli prokuroria sot, folëm vetëm ne dhe Mariglen Qato i mohoi akuzat”, tha avokati.
Sipas njoftimit të SPAK, për katër vite rresht që Molla ka qenë në krye të “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka shpallur fitues kompaninë “5D Konstruksion” kur në fakt pronarët e vërtetë ishin ai dhe Mariglen Qato. Kompania është regjistruar me emrin “Igor Electrik”, më pas e ka ndërruar në “V.A.S Construction” dhe në fund në “5D Construction”.
“5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv, me të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.
Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së./ZËRI