Politikë

David Cameron viziton sot Tiranën, nga pritja në Rinas te takimi me Ramën

Cameron, do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama dhe në orën 12:50 do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp

E.K
David Cameron viziton sot Tiranën, nga pritja në Rinas te takimi me
David Cameron
David Cameron viziton sot Tiranën, nga pritja në Rinas te takimi me
David Cameron ne Tirane

TIRANË- Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ish-Kryeministri britanik do të pritet rreth orës 11:00 të paradites nga ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Rreth orës 12:00 është parashikuar pritja dhe takimi me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama në kryeministri, ku më pas do të zhvillojnë së bashku edhe një konferencë për mediat.

Në këtë vizitë 1 ditore, Sekretari Britanik do të takojë edhe kreun e shtetit Bajram Begaj, në orën 14:30.

Sipas ambasadës britanike në Tiranë, kryediplomati Cameron do të shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Ai ka në plan për të deklaruar edhe një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës me shqiptarët që ende vijojnë të synojnë kalimin illegal drejt Britanisë së Madhe, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës.

Ambasada Britanike në Tiranë ka zbardhur fokusin e vizitës së Cameron, ku në qendër do të jetë emigracioni i paligjshëm.

Ambasada njofton se Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njoftoi dje ambasada britanike. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB