
TIRANË-Në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur rreth operacionit të SPAK ku katër punonjës policie, dy prej të cilëve në role drejtuese kanë rezultuar të përfshirë në grupet kriminle. Berisha ka akuzuar Erion Braçen se kishte ushtar të tij, drejtorin e policisë së Lezhës, të shpallur në kërkim, Henrigert Mitri.
Deklarat e plotë:
Miqtë e mi, frika gjer në palcë nuk është zgjidhja. Drejtori i policisë së Lezhës, Mitri, një trafikant i poshtër që në vend të rendit, bënte trafikun, që hapi portin e Shëngjinit për kalime ngarkesa gjigante droge, po të gjithë e dimë se ishte ushtar i Erion Braçes. Po edhe nga Braçja keni frikë o të mjerë? Po si mo u thoni shqiptarëve se e ka ndihmuar një zëvendëskryeministër dhe nuk u thoni se e ka ndihmuar Erion Pluhuri, Erion Droga. Miqtë e mi, kjo platformë është platforma e të vërtetave të mëdha. Është platforma e mbrojtjes të të drejtave, të të vërtetave të mëdha kombëtare. Po kush i administron bandat e Durrësit? Një njeri dhe vetëm një njeri dhe ai është Edi Rama. Ato vjedhin për Edi Ramën, bëjnë trafik për Olsi dhe Edi Ramën, rrahin njerëz nëpër lokale si të çmendur për Edi Ramën. Gazetarë dhe gazetare, kombi është në lëngatë të madhe sepse janë këto familje mafioze dhe Edi Rama padrino i tyre, shqiptarët nuk gjejnë vend në Shqipëri. Shqiptarët largohen nga ky vend më shumë se nga çdo pushtim tjetër në histori. Ndaj dhe njëherë u ftoj të vazhdojmë këtë betejë, o sot o kurrë gjer në fitore të plotë. Gjer në përmbysjen, pastrimin e bashkisë nga Erion Veliaj. Krijimin e qeverisë teknike. Zgjedhje të lira. Fitore të opozitës. Do ta mbyll duke e falënderuar edhe njëherë me nderimin më të madh zëdhënësin e shpirtit të kombit shqiptar, Çun Lajçi. Dhe të gjithë shqiptarët që ky zë i pamposhtur që buron nga thellësitë e shpirtit përfaqëson. Faleminderit. Fitore, fitore, fitore!
Henerigert Mitri, që në vitin 2020 mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Klodian Shahini që ishte Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës, në bashkëpunim me Preng Gjinin. Ndërsa, në bashkëpunim me ish-deputetin Arben Ndoka drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës. Bashkëpunim me grupin kriminal kishin dhe 2 efektivë të Repartit Special RENEA, Altin Morina, dhe A.P., që kanë bashkëpunuar me Durim Bamin dhe në parcelat me drogë në Nikël e Tapizë dhe jo vetëm.
Por Mitri duket se nuk është marrë vetëm me lojrat e fatit, pasi rezulton se ka mbuluar edhe kultivimin e kanabisit në zonë. Edhe për parcelat, ka pasur dijeni por nuk ka vepruar, ose nëse e ka bërë, ka qenë selektiv duket mos i "dëmtuar" ata që e paguanin. Në biseda i permend edhe Arben Ndokën, për të cilin shprehet se në atë zonë vite më parë ka kultivuar edhe Arben Ndoka cannabis./ZËRI