Politikë

Dash Sula shpërthen ndaj PD-së: Çfarë vaksine ju ka bërë Rama? Kryeministër të lutem mos bëj fare fushatë vitin e ardhshëm

Sula tha se në Kuvend, nuk duhet të vijnë ata deputetë që janë servilë dhe i lëpihen kryetarëve

E.K
Dash Sula shpërthen ndaj PD-së: Çfarë vaksine ju ka
Dash Sula

TIRANË- Deputeti Dash Sula, i rreshtuar në radhët e opozitës, ka kundërshtuar ashpër paktin PS-PD që pritet të kalojë sot në Kuvend. Gjatë fjalës së tij, Sula e krahasoi marrëveshjen e ditës së sotme, me ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008. Sula tha se Rama i ka të fituara zgjedhjet vitin e ardhshëm, ndërsa i bëri thirrje që të mos dilte fare në fushatë në 2025-ën, pasi rrezikohet që socialistët të fitojnë shumicën e cilësuar.  

“Jam i lumtur që marr pjesë në këtë ceremoni martesore mes PS dhe PD, por më vjen keq që na mungon kryeministri dhe një pjesë e ministrave. Ty zoti Gjiknuri, që the se nuk kishe me kë negocioje, të jap të drejtë, se njëherë bashkëpunove me njërin dhe me tjetrin. Jam njeriu më i lumtur nëse këtë sallë do të kishte 100 deputete gra. Në këtë sallë, jemi unë dhe zoti Balla, që mbajmë mend marrëveshjen e vitit 2008, e kam thënë atëherë dhe e them dhe tani, që ajo marrëveshje ka qenë e turpshme. Dinjitetin nuk e kam çuar përtokë, nënshkruan një marrëveshje as 40 ditë pas tragjedisë së Gërdecit.

Premtuan se nuk do të vinin në parlament të fortët dhe kriminelët, ndërkohë që erdhën dhe vrasësit me pagesë. Ky është sërish morali në vitin 2024? Do kesh dhe nga ato që janë burra, por do kthehen në gra në 2025, ti gëzosh! Kam një pyetje nëse na ndjek zoti Rama, çfarë ilaçi i ke dhënë opozitës, çfarë vaksine i ke bërë, të gjithë demokratët kishin shpresë që ne të vinim në pushtet në vitin 2025. Zoti kryeministër të lutem, të përgjërohem, mos dil fare në zgjedhje vitin e ardhshëm, se i ke të fituara, të paktën të mos fitosh shumicën e cilësuar”, u shpreh Sula.

Mazhoranca dhe opozita janë dakordësuar në parim për draftin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Sipas propozimit, në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë edhe qytetarët me banim jashtë vendit. Në draftin konsesual, palët janë dakordësuar gjithashtu që listat të jenë 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur.

Mazhoranca është tërhequr nga herësi prej 7 mijë votash, ndërsa nuk ka pranuar propozimin e opozitës për koalicione parazgjedhore./ZËRI 

Poll

MOS HUMB