
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, është pyetur nga gazetarët për Arlind Qorin dhe aksionin e tij për rritjen e pensionave. Pas dy protestave që Qori ka zhvilluar bashkë me të moshuarit para Kryeministrisë, Berisha i ka dërguar një "sinjal". Teksa komentonte aktivitetin politik të Qorit (edhe pse ky i fundit është "i majtë" në bindje, ndryshe nga Berisha), kryedemokrati i bëri një "ofertë". Duke e shprehur ndër reshta, Berisha tha se është i hapur të bashkohet me këdo shqiptar dhe këdo politikan që është kundër regjimit të Ramës.
“Cilido politikan që ndjehet i përkushtuar kundër narko-shtetit të Edi Ramës është i mirëpritur në betejën tonë të përbashkët për të përmbysur këtë regjim, për të krijuar një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë personalisht, të gjitha veprimet, cilido t’i organizojë i kam përshëndetur dhe do t’I përshëndes. I vetmi kusht është t’i shoqërojë fjalët me vepra, të bashkohemi për një qëllim madhor, të shpëtojmë Shqipërinë nga ky regjim që në një mënyrë apo tjetër po shfaros farën e shqiptarëve, por e zbraz Shqipërinë,”- u shpreh Berisha.
Edhe pse Berisha lë të kuptohet se është i gatshëm për një bashkëpunim me Qorin, kreu i ‘Lëvizjes Bashkë’ e ka shprehur publikisht se nuk do të bëhet bashkë me Partinë Demokratike. Ai i ka vendosur qartë qëndrimet e tij duke premtuar se nuk do të bashkëpunojë me asnjë parti që ka qeverisur Shqipërinë deri më sot. Po ashtu, për arsye të ndryshme ka refuzuar bashkimin edhe me Endrit Shabanin dhe Adriatik Lapajn, dy nga drejtuesit e dy lëvizjeve të tjera politike./ZËRI