Politikë

Burgosja me 1 vit e Salianjit, avokatët 45 ditë kohë për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë

Salianji në burg, cilët janë skenarët për mbrojtjen e tij, dhe aksioni i ‘paqartë’ i opozitës

E.K
Burgosja me 1 vit e Salianjit, avokatët 45 ditë kohë për
ERVIN SALIANJI

TIRANË- Ervin Salianji, deputeti i Partisë Demokratike, u dërgua mbrëmjen e djeshme në burgun e sigurisë së zakonshme në Fier, ku do të vuajë dënimin me 1 vit burg, të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, për veprën penale të kallëzimit të rremë. Ndaj Salianjit është vendosur një precedent i ri nga ana e Gjykatës, për shkak se kallëzimi i deputetit nuk është bërë në ndonjë nga institucionet e drejtësisë, por ka qenë një denoncim publik, nga ato që politikanët bëjnë me qindra gjatë karrierës së tyre.

Për këtë shkak avokatët e Salianjit pritet që të vijojnë me betejën e tyre ligjore brenda dhe jashtë vendit. Pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata e Apelit, gjë e cila nuk ka ndodhur ende, avokatët e deputetit kanë 45 ditë kohë që të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë. Më shumë se dënimi dhe heqja e lirisë, Salianji do të vuajë gjatë pasojat në karrierën e tij, pasi ligji i dekriminalizimit e ndalon që për 5 vite të mbajë funksione apo detyra publike. Kjo pritet të jetë dhe beteja e tij e radhës, për të kërkuar drejtësi edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, dënimi i Salianjit është konsideruar një hakmarrje politike nga ana e drejtuesve të opozitës, të cilët i kërkuan deputetit që të mos e zbatonte vendimin e Gjykatës së Apelit, dhe propozuan ngujimin në qeli. Por një skenar i tillë u mohua nga vetë Salianji, i cili gjatë orëve të pasdites, nën britmat e mbështetësve, u vetëdorëzua në ambientet e Policisë së Tiranës. Prej andej, u dërgua në burgun e Fierit, ku në rast se nuk do të ketë ndonjë vendim surprizë nga Gjykata e Lartë, do të duhet të vuajë dënimin me 1 vit burg.

Opozita pas këtij dënimi, do të nisë protestat në të gjithë vendin, ndërsa Gazment Bardhi tha se do të ndërpriten të gjitha marrëdhëniet institucionale me mazhorancën, por pa dhënë detaje konkrete se si kjo gjë do të vihet në zbatim. Protesta e parë e thirrur nga opozita është ajo e datës 6 Qershor, ndërkohë që revolta pritet që të zhvendoset në sallën e Parlamentit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB