
TIRANË-Debati për burgosjen e deputetit të Partisë demokratike, Ervin Salianjit mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka vijuar edhe sot. Pas vetëdorëzimit të Salianjit, ishte Rama ai i cili reagoi, duke u shprehur se zërat që Salianji u dënua politikisht, janë viktimizim dhe heroizëm. Kreu i qeverisë tha se Salianji po viktimizohet për një vepër të turpshme, që sipas kryeministrit, është një fabrikim i tërë dhe jo thjesht një shpifje.
"Heroizimi i një krijuesi rrethanash të rreme për të sulmuar publikisht një kundërshtar politik, duke coroditur me muaj të tërë opinionin publik me një fushatë të egër shpifjesh përmes telenovelës “Babale”, si edhe kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë që bazohet në ligjin kundër veprës penale të kallzimit të rremë, flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve nën Penxheren e Katit të Tetë të pakicës! Viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve – sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë...",-shkruan Rama në reagimin e tij në platformën 'X'.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bardhit, ku shkruan se halli i Edi Ramës është Olsi dhe jo drejtësia. Kreu i grupit parlamentar tha se Rama po bën çfarë mundet për të ndikuar në hetimin e vëllait të tij dhe për të penguar të vërtetën e përfshirjes së Olsi Ramës me trafikantët ndërkomëbtarë të kokainës në Xibrakë. Sa i përket etiketimit 'shpifës' nga kryeministri, Bardhi i përgjigjet se Salianji u bë zëri publik.
Gazment Bardhi: Olsi Rama është halli i Edi Ramës, jo drejtësia; njëlloj siç Geroni ishte halli i Fatmir Xhafajt, dhe jo drejtësia! Fushata e egër e Edi Ramës për dënimin politik të Ervin Salianjit nga disa gjyqtarë hallexhinj s’ka të bëjë me drejtësinë. Ai po bën çfarë mundet për të ndikuar në hetimin e vëllait të tij dhe për të penguar të vërtetën e përfshirjes së Olsi Ramës me trafikantët ndërkomëbtarë të kokainës në Xibrakë.
Me të tilla fushata, e mbajmë mend që mohoi kanabizimin e vendit. Ne ishim shpifësit që i nxinim imazhin vendit. Mbrojti Saimir Tahirin. Edhe atëherë ne dolëm shpifës për trafikun e drogës me makinën e Ministrit të Brendshëm. Madje u dënuan dy zyrtarë të lartë të PD nga Dvorani me shokë, por e vërteta doli shpejt në dritë. Mbrojti Elvis Roshin, Arben Ndokën, Armando Prengën, Valdrin Pjetrin, Agim Kajmakun, dhe të ngjashmit e tyre. Ne ishim shpifësit për akuzat e përdhunimit, vrasjeve dhe trafikur të drogës edhe për to. Mbrojti incineratorët. Ne shpifnim për korrupsionin, por një dyzinë zyrtarësh janë në burg për këtë. Me këto fushata shpifjesh, sulmesh dhe dhune ndaj opozitës, Edi Rama ka mbrojtur çdokënd dhe çdo gjë që i rrezikonte pushtetin e vet. Ervin Salianji nuk e ka sajuar që vëllai i Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës ishte një trafikant i dënuar droge në Itali dhe qendronte i qetë në Shqipëri, pa kryer dënimin, nën mbrojtjen politike të qeverisë së Edi Ramës. Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?
Ervin Salianji u bë zëri publik i një denoncimi të ardhur në Partinë Demokratike se vëllai trafikant i Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës vazhdonte i qetë aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës. Cili institucion e hetoi që kjo nuk është e vërtetë? Policia e Shtetit vartëse e Ministrit me vëllain trafikant? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama? Pse nuk iu morën mostrat e zërit vëllait të MInistrit të Brendshëm, por u nis paketë postale për të bërë burgun në Itali? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama? Përpara se të na tregojë përrallat e vjetëruara me drejtësi të pavarur, Edi Rama duhet të na thotë edhe diçka tjetër. Çfarë bënte vëllai i tij me makinën që përdornin trafikantët e drogës së Xibrakës në të njëjtën kohë kur ngrihej laboratori i drogës dhe kishte nisur përpunimi i kokainës në Xibrakë? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?
Salianji u vetëdorëzua pasditen e sotme në ambientet e Policisë së Tiranës. Deputeti i PD qëndroi për rreth 90 minuta në ambientet e Drejtorisë së Policisë në shoqërinë e avokatëve të tij Marash Logu dhe Ledio Braho.
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI