
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe është përplasur "virtualisht" me kreun e "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj. Debati ka nisur pas disa akuzave të Lapajt, për aktivistët socialistë në Divjakë. Përmes një postimi në Instagram, Braçe duke e cilësuar Lapajn si ‘fshisti i vogël i Sali Berishës’, i bën thirrje atij të mos gënjejë dhë shantazhojë aktivistët e Partisë Socialiste. Më tej deputeti hedh poshtë gjithashtu akuzat e opozitës ndaj mazhorancës për blerje votash, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
Postimi i Erion Braçe:
Më dëgjo mua tani ti fashist i vogël i Salih Berishës: Fatjon Lena nuk është zëvendësministër. Nuk ka qenë kurrë zëvendsminister e as do që të jetë! Lista e zëvendësministrave është publike, është në faqe të qeverisë, faqe të çdo ministrie; Ti gënjen. Fatjon Lena është 34 vjeç dhe nuk ka firmosur kurrë në një border shteti - administratë, në nivel qendror e vendor.
Është ndër shumë socialistë të drejtë e të ndershëm që nuk kanë përfituar “punë shteti” nga pushtetet e Partisë Socialiste! Borderote e shtetit janë publike, por nuk presin t’i verifikosh ti, përkundrazi janë aty për të dëshmuar që ti je një gënjeshtar që as skuqesh e as zverdhesh kur gënjen çdo ditë. Fatjon Lena është socialist, punëtor partie, vullnetar dhe bën një super punë çdo ditë me njerëzit e Divjakës.
Jo për të blerë vota, sepse kurrë nuk ka ndodhur në këtë territor që një socialist, nga unë i pari, tek më i fundit, të bleje vote me lekë; gjeje ti njërin e nxirre të thotë ndryshe. Ne nuk jemi as Salihu e as ti-fashisti i vogël i tij. Tani dëgjo e mbaje vath në vesh: Ndale shantazhin e kërcënimin ndaj njerëzve që as i njeh e as të kanë borxh, veçanërisht ndaj njerëzve të Partisë Socialiste. Ndale, ndalu ti dhe erëkeqi yt me të cilin e me paratë e të cilit vjen rrotull ne Divjakë!
Harroje ti dhe erëkeqi yt me vapor se paratë e ndyra të trafiqeve që ju rrethojnë do trembin qoftë dhe një socialist apo do blejnë qoftë dhe një qytetar apo bujk të Divjakës. Harroje. Po bëjmë pune partie e do vijojmë ta bëjmë, e drejtë e ndershëm cep e më cep të kesaj bashkie, me çdokënd që është këtu dhe jashtë këtij vendi, hapur fare, publikisht! Kush vlerëson punën, të na vlerësojë. Kush nuk vlerëson punën apo quan punë këtë punën tënde ordinere, le te mos votojë; do i shërbejmë po njësoj.
Një përgjigje nga Adriatik Lapaj nuk ka munguar, ku e akuzon deputetin socialist se po merret personalisht me të deuke e kërcënuar, madje duke i "sulur" dhe bandat e vjedhjes së votave. Lapaj përmes një reagimi në Facebook tha se Braçe ka 2 ditë që merret me të, duke e kërcënuar e shantazhuar publikisht. Ai i bëri thirrje Braçes se nëse i ndodh gjë atij ose familjes së tij, ai do të mbahet përgjëgjës.
Reagimi i Adriatik Lapaj:
Erion Braçe, deputeti i Parlamentit ka 2 ditë që më kërcënon mua personalisht. Më kërcënon se po përballem me bandat e vjedhjes së votës dhe detyrimit te administratës për votat e diasporës.
E di gjithë Shqipëria që ju si parti po kërcënoni krejt administratën për listat e votave në diasporë, o Erion! Mos merr flamurin e vjedhjes së votës; o Erion!
Mos e kthe personale, o Erion! Po kërcënoni njerëzit në administratë, o Erion!
Ka prova pafund o Erion! Unë ty nuk të kam llogari fare, o Erion!
Kur guxon e bën me mua publikisht imagjino çfarë u bën pas kamerave punonjësve të shtetit, o Erion!
Nga sot, sa kohë me pushtetin që ke më kërcënove publikisht unë dhe krejt familja ime të mbajmë ty përgjegjës për çdo milimetër dëm që më vjen, o Erion.
Rri rehat! Merre qetë se nuk e ke shtetin personal.
Mos përdor pushtetin politik për të më kërcënuar, o Erion! Ke rreth 25 vite deputet, o Erion! Unë jam nga ata që nuk bëj pas, o Erion!
Mos e kthe personale!
Mblidh zagarët që po kërcënojnë administratën!