
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur për mediat pas aksionit të tyre për të bllokuar mbajtjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Bardhi tha se është e papranueshme që opozita të përfaqësohet nga një grup prej 7 deputetësh, duke iu referuar grupimit të Lulzim Bashës, dhe shtoi se përbërja e tanishme e komisionit është e papranueshme. Bardhi tha më tej se grupi i tyre i ka gati propozimet për Reformën, por ato nuk mund të vihen në dispozicion të një farse, siç e quajti ai.
“Ishte premtuar një akt tjetër i farsës mes deputetëve të maxhorancës dhe me mandat opozitar për të bërë sikur kanë ndërmend të bëjnë reformën zgjedhore. Donin t’i hidhnin hi syve shqiptarë ve. Nëse do të donin që të mbyllin reformën zgjedhore, do të kishin bërë këtë gjë. Sot opozita nuk ka bllokuar komisionin, por maxhoranca. Edi Rama, nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj nuk dëshiron përfaqësuesit e opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore. Opozita dëshiron që të marrë pjesë në komisionin e Reformës zgjedhore. Opozita dëshiron që të mbyllë këtë reformë, por ajo mbahet peng nga Edi Rama.
Ne i kemi gati propozimet tona të reformës zgjedhore, unë nuk mund të përfaqësohem nga deputetë që nuk e kanë besimin tim. Sa kohë që nuk kanë shumicën dërrmuese, ata nuk mund të jenë përfaqësuesit tanë. Ne po na thuhet që 7 deputetë do të kenë 2/3 e komisionit, dhe 50 deputetë të tjerë do të kenë 1/3 e komisionit që i takon opozitës. Kuvendi duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga kjo farsë, që bëjmë sikur i kërkojmë asistencë ODHIRIT, dhe më pas harrojmë që ti kthejmë përgjigje kur na e ofrojnë. Këtë temë duan ta vazhdojnë ta varrosin, ashtu siç bënë në këto dy vite".
Mbledhja e sotme e Komisionit për Reformën Zgjedhore dështoi, për shkak se deputetët e grupimit Berisha-Bardhi bllokuan sallën në Kryesinë e Kuvendit. Vendimi për bllokimin e kësaj mbledhje u mor nga grupi parlamentar që drejtohet nga Gazment Bardhi. Damian Gjiknuri dhe deputetët e tjerë socialistë pas debateve me Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin vendosën që të linin sallën e mbledhjeve. Vetë Enkelejd Alibeaj vendosi që të mos shkonte në sallë, për të shmangur përballjen me kolegët e tij opozitarë. Para mbledhjes, si bashkëkryetar, Enkelejd Alibeaj prezantoi dhe 4 propozimet e grupimit të Bashës për Zgjedhoren, që përfshinin listat e hapura, sistemin propocional kombëtar me një njësi, votimin e diasporës, dhe numërimin dhe votimin elektronik.
/ZËRI