TIRANË – Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka bërë një ndalesë në Piramidën e Tiranës, gjatë vizitës së tij të sotme në kryeqytetin shqiptar. Gjatë fjalës së tij përpara të rinjve, ku takoi edhe kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj, Blinken tha se ka ndjerë ngrohtësi kudo ku ka shkelur.
Blinken përmendi edhe rindërtimin e Piramidës, teksa tha se ky vend është kthyer në simbol të së ardhmes. Më tej, Sekretari Amerikan i Shtetit u shpreh se në rrugët e Tiranës ka parë optimizëm.
“Ju falënderoj për një mikpritje të mrekullueshme në vendin e shqiponjave, e ndjej ambientin e ngrohtë jashtë dhe ngrohtësinë në këtë vend dhe çdo vend tjetër që kam qenë në Tiranë. Nuk mund t’ju shpjegoj se sa mirënjohës jam. Sot ky vend është mbushur me dritë. Është një simbol i gjallë i të ardhmes dhe të tashmes, të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Kjo ndërtesë u rindërtua me investimin e fondit shqiptaro-amerikan. Sot në rrugët e Tiranës pashë optimizmin për të ardhmen”, tha Blinken.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken vizitoi sot Tiranën. Ai takoi kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj, ndërsa pritet të zhvillojë një takim edhe me kreun e SPAK, Altin Dumanin./ZËRI/