
TIRANË- Gjykata e Posaçme nuk ka marrë sërish një vendim për Fredi Belerin, i cili kishte kërkuar një leje të posaçme për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës. Seanca e radhës për Belerin do të mbahet në datën 11 Dhjetor, ndërkohë që Beleri dhe avokati i tij e kanë cilësuar të pakuptimtë mosdhënien e një vendimi.
Në fundin e seancës së sotme, avokati i Belerit shkoi deri aty sa tha që gjyqtarët ‘presin’ vdekjen e Belerit në mënyrë që të japin një vendim.
“Ata presin që o të vdesë Beleri o të vdesin ata, nuk e di. Betimi nuk mund të bëhet si tek Lana, siç i kanë bërë të tjerët”, u shpreh avokati i Belerit.
Vetë Beleri e ka cilësuar diskriminim politik arrestimin dhe zvarritjen e çështjes së tij, për të cilën bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama.
“Jam i persekutuar. Ka vendime politike dhe pozicionim të kryeministrit para çdo seance. Nuk ndodh në asnjë shtet të botës që një humbës të vijojë të drejtojë. Gjithçka që nuk pengohet me ligj është e lejuar, është parim kushtetues”, ka thënë Beleri në sallën e gjyqit.
Si në çdo seancë, edhe në gjyqin e sotëm, nuk ka munguar prania e ambasadores greke në vendin tonë. Betimi i Belerit është kthyer në një çështje të nxehtë të politikës së jashtme shqiptare dhe greke. Greqia ka kushtëzuar vendosjen e vetos për integrimin, në rast se Beleri nuk lejohet që të bëjë betimin.
Beleri mbahet në burg që prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Pavarësisht dhjetëra kërkesave të tij për të lënë qelinë në mënyrë që të bënte betimin si kryebashkiak i zgjedhur, deri tani drejtësia ka vendosur kundër tij.
/ZËRI