
TIRANË- Pas seancës kaotike në sallën e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha, e ka quajtur bllokimin një sukses të opozitës, ndërsa ka vijuar akuzat në drejtim të Edi Ramës, por edhe biznesmenit Gjergj Luca që sipas tij janë të implikuar në trafik kokaine.
"Ju patë sot se si Linda e parlamentit është e aftë të shkatërrojë çdo gjë për hir të Edi Ramës. Por e garantoj Edi Ramën se nuk ka Lindë në botë që mund ta mbrojë atë dhe se për puçin e tij, për grushtin e shtetit brenda shtetit, dmth për marrjen e pushteteve të parlamentit dhe bllokimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve, ai do trajtohet si puçist dhe do marrë përgjigjen që meriton.
Mosbindja civile sot ishte suksesi i radhës i deputetëve të opozitës. Ju e patë se si e kishin rrethuar parlamentin, se si ishin vënë 15 në një derë, por asgjë nuk e pengoi aksionin, betejën pa kthim të opozitës dhe u detyruan të funksionojnë si në parlament, si në shpellë.
Kreativiteti në mbrojtje të parlamentarizmit nuk njeh kufi. Kjo është seanca e turpit, që u shërbye nga deputetë mercenarë që nuk kanë kodin minimal etik të ligjit dhe Kushtetutës.
Ata që folën sot janë mëkatarë kryesorë në grupin parlamentar dhe unë i thashë atij Sinës, se ai e bën për herë të dytë. Ai është grabitqar i pasurive publike të fshatrave të Vlorës, me një gurore ka detyruar që të largohen sa e sa familje. Prandaj e kanë të kapur dhe flet pa asnjë lloj kodi etik, pa asnjë respekt për ligjin dhe Kushtetutën.
Por ne nuk dekurajohemi nga Petro Koçët dhe këta lloj deputetësh skllevër të Edi Ramës."
Ndërkohë që Berisha vijoi akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se është takuar në Dubai me bosët e drogës.
“Edi Rama ka ndërtuar gjithsej në kohën e ndërtimit të tyre, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Parku 5 mijë metër katrorë është blerë me një çmim minimumi 10 deri në 12 herë nga sa është deklaruar dhe është blerë në kushte flagrante të shkeljes së ligjit.
Edi Rama do hetohet për çdo udhëtim të tij, për 140 fluturimet e tij në dy vite, që u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 22 milionë euro.
Do hetohet për të gjitha takimet që ka bërë gjatë këtyre udhëtimeve. Flitet gjerësisht se në Dubai takoi klanet e drogës, ndër të tjera edhe ortakun e vëllait të tij Olsi, famozin Amant Josifi.
Unë kam denoncuar se call-centeret e Amant Josifit janë të gjitha të paprekura dhe në vend të tyre janë arrestuar djem dhe vajza që nuk kanë pasur asnjë lidhje me vjedhjen e parave përmes Bitcoin nga grupi Milton me përfaqësues Amant Josifin dhe Olsi Ramën.
Do hetohet Edi Rama për të gjitha aferat korruptive me PPP-të. Ju e shihni se si djegësi i Tiranës është tërësisht i paketuar, djegësin e Tiranës, Edi Rama që i dha kompanisë së vet 8 përqind bonus, tetë muaj para se kompania të krijohej. Qytetarët duhet t’i dinë këto, ne do i faktojmë me dokumente.
Do hetohen të gjitha PPP-të e shëndetësisë, pasi aty janë krimet më monstruoze të kryera ndaj shëndetit të shqiptarëve. Vetëm sterilizimi ka kushtuar mijëra jetë pasi qytetarët mbetën të paoperuar sepse spitalet nuk blinin dot setet e sterilizimit me çmime 80 herë më të larta.
Do hetohet Edi Rama me shushunjën e kunatit të tij, që quhet Vilma Nushi e cila për të plaçkitur paratë e taksapaguesve regjistron në check-up me dhjetëra mijëra individë që janë ndarë nga kjo jetë prej vitesh.
Do hetohet Edi Rama për të gjithë investitorët strategjikë. Ju e patë se si i ka dhënë 400 mijë metër katrorë Pëllumb Gjokës, porositësit me pagesë të vrasësve.
Do hetohet edhe për Lucën e tij, i cili ka qenë një nga personat më të ndjekur nga autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtare. Dhe tani i kapet veliera dhe shkon e rrëmben velierën e ndjekur nga autoritetet italiane me kokainë,” tha Berisha.
/ZËRI