Politikë

Berisha: Njësoj si në kodet e mafias, Veliaj e palosi Ramën për 35 minuta

Reagimi i Ramës, sipas Berishës tregon se Veliaj e ka’ në dorë’ kryeministrin.

F.m
Berisha: Njësoj si në kodet e mafias, Veliaj e palosi Ramën
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar deklaratën e Erion Veliajt dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama që e mbështeti kryebashkiakun pas aksionit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kundrejt “5D”. Nga ballkoni ku mban fjalën e tij çdo natë përballë mbështetësve që grumbullohen, Berisha tha se filloi të bëjë avokatinë e drejtorëve të tij. Reagimi i Ramës, sipas Berishës tregon se Veliaj e ka’ në dorë’ kryeministrin.

Pjesë nga fjala:

Sot, kryebastardi dhe kryehajduti i Tiranës u tha qytetarëve se pronarët, punonjësit, drejtorët e tij të bashkisë, të cilët me kompaninë 5D, vodhën 100 përqind të prokurimeve, janë heronjtë e zinj të qytetit. Po ai doli para jush në një pafytyrësi ekstreme dhe filloi të bëjë avokatinë e tyre. T’i paraqesë ata si heronjtë e kryeqytetit, transformatorët e mëdhenj. Individë pa moral, që nuk kanë sjellë asgjë tjetër përveçse vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Njëlloj si në kodet e mafies, Erion Veliaj i dërgoi Edi Ramës mesazhet se ti je ai që zëvendëskryeministri yt ka bërë të pabërat dhe është arratisur. Dhe guxo po deshe të matemi publikisht se i gatshëm jam. Guxo po deshe të matemi. Ajo që ndodhi, asnjë nga ju nuk mund ta imagjinonte, por miq, në mënyrë të përsëritur nga kjo dritare u kam thënë se Edi Rama është kalbësirë, kalbësirë, kalbësirë! Dhe ju e patë se si, brenda një kohe rekord, për të mos u besuar syve, Edi Rama kërcënimeve të Erion Veliajt, iu përgjigj me peqe-lepe bashkëhajduti im. Ai deklaroi se jam 100 përqind me çdo fjalë dhe presje dakord me Erion Veliajn. A ka shëmti më të madhe, a ka kapitullim më të madh, a ka dëshmi më flagrante se Erion Veliaj dhe Edi Rama janë hajdutë të pandarë dhe se ju jeni shpresa e fundit e shqiptarëve? Jam dakord tha Edi Rama me fjalë dhe presje sepse Erion Veliaj e di se ku janë 130 milionë të fshehura të sipërmarrjes Rama-Veliaj. Sepse Erion Veliaj e di se si Edi Rama firmosi për 8 pikë për sipërmarrjen që nuk ekzistonte. Sepse Erion Veliaj e di se pse Edi Rama ndryshoi strategjinë e trajtimit të mbetjeve dhe kaloi në djegien e mbetjeve. A e kuptoni pra se sa i fortë është Edi Rama kur për 35 minuta paloset nga Erion Veliaj? Ç’na mbetet ne? Çfarë dinte tjetër nga kodi i mafies? Erion dhe Ramë, Edvin jeni një. Dumanët le të merren me drejtorët dhe kundërshtarët tanë, me ne nuk guxojnë kurrë. Se ne u bëjmë atyre këtë dhe atë.

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë pasdite reagimet e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili në deklaratat e dhëna publikisht kërkoi që drejtësia të vijonte me analizimin e fakteve për drejtorët e ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë që janë vënë në pranga në kuadër të dosjes së etiketuar si ‘5D’. Në një konferencë të jashtëzakonshme, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mbejti një qëndrim publik, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, në kuadër të dosjes së SPAK, të etiketuar ‘5D’. Veliaj nuk mohoi bashkëpunimin me një pjesë të emrave të përmendur në dosje, në punë që sipas tij i kanë ndryshuar fytyrën qytetit të Tiranës. 

Çfarë është dosja “5D”?

Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”.  “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.

Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.

Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.

Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së.

Poll

MOS HUMB