
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike të vulës, Lulzim Basha ka komentuar deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për arrestimin e drejtorëve dhe të ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë. Sipas Bashës, Veliaj dhe kryeministri Edi Rama po kërcënojnë njëri-tjetrin. Ai shton se së bashku ushtrojnë presion kundrejt Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Reagimi i Bashës:
Janë bërë si kartelet e mafias, që dalin e kërcënojnë njëri-tjetrin nga frika se po u vjen radha. Fillimisht dilte koka e peshkut të qelbur. Tani del koka e cironkës po aq të qelbur sa peshku. E në fund së bashku me patericat e tyre synojnë t’i bëjnë presion dhe kërcënojnë SPAK-un. Fundi i pandëshkueshmërisë është dita e parë e demokracisë së vërtetë për shqiptarët. Prandaj, sot është jetike të ndalen duart e pista që, në pazare me njëri-tjetrin, kërkojnë të vënë nën kontroll SPAK-un.
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë pasdite reagimet e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili në deklaratat e dhëna publikisht kërkoi që drejtësia të vijonte me analizimin e fakteve për drejtorët e ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë që janë vënë në pranga në kuadër të dosjes së etiketuar si ‘5D’. Në një konferencë të jashtëzakonshme, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mbejti një qëndrim publik, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, në kuadër të dosjes së SPAK, të etiketuar ‘5D’. Veliaj nuk mohoi bashkëpunimin me një pjesë të emrave të përmendur në dosje, në punë që sipas tij i kanë ndryshuar fytyrën qytetit të Tiranës.
Çfarë është dosja “5D”?
Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”. “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.
Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së.