
TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha mohon çdo lidhje me ish-zv.drejtorin e Policisë Tiranë, Erzen Breçani, i arrestuar tashmë nga SPAK. Edhe dje në emisionin e Erla Mëhillit "Now" në Euronews edhe sot i pyetur nga gazetari i Zërit, Edon Kuqi se a ka një koment për arrestimin e një njeriu që ka qenë "truprojë" e afërt e tij, Berisha tha se ai nuk ka qenë asnjëherë truprojë e tij.
"Së pari, Erzen Breçani të garantoj se nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, badigard i Sali Berishës dhe kjo është një gënjeshtër e bazuar në mashtrime. Nuk ka qenë jo se Sali Berisha ka pasur vërejtje për të, ai ka qenë një polic gjerësisht i vlerësuar në kryerjen e deyrës në të gjitha postet që ka pasur. Kështu që t’i themi ato siç janë. Së dyti, për Erzen Breçanin dhe për çdo njeri tjetër, Sali Berisha ka vetëm një qëndrim, ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Kushdo që ka shkelur ligjin, duhet të bëhet përgjegjës para ligjit."-tha Berisha sot për ZËRI.
Por në fakt, edhe pse Berisha mund të ketë të drejtë dhe ligjërisht ndoshta vërtetë Breçani nuk ka qenë truproja e tij, askush nuk mund të mohojë se Breçani ka qenë një njeri i afërt i tij, krah opozitës dhe Partisë Demokratike.
Por edhe këtë Berisha e mohon. "S’ka qenë kurrë më afër meje, e kam njohur kur ka lënë Policinë, kur ka qenë në Polici nuk e kam njohur fare."-tha ai dje në "Now".
A është vërtetë kështu? A nuk e ka njohur fare Berisha Breçani para se të linte Policinë? Pamjet e publikuara 3 ditë më parë nga ZËRI tregojnë diçka tjetër. Në vitin 1997, Erzen Breçani dhe Sali Lushaj qendrojnë krah Berishës në mitingun e zhvilluar në Lushnje. Çfarë do të bënte Breçani aty nëse nuk do kishte njohje dhe afërsi me kryetarin e PD?
Megjithatë, një fakt i tillë provohej dhe nga Breçani. Më 7 Dhjetor 2022, ditën kur Sali Berisha u godit në protestë nga Gert Shehu ka qenë pikërisht Erzen Breçani njeriu që e mori të riun nga turma dhe e dorëzoi atë në Policinë e Shtetit. Nuk ishin as truprojat "legale" të Berishës as persona të tjerë.
"Unë isha diku 10 ose 15 metra larg doktorit. Isha me dy ish oficerë të policisë. Marrim pjesë në çdo protestë. E dëgjova që u godit doktori. Vrapoj dal nga mbrapa dhe e shoh që ishte në këmbë. E shoh që po e godisnin këtë personin. Ai ishte në tokë. Gjej momentin t’i falenderoj që m’u bindën. Ndaluan përdorimin e forcës dhe ma besuan mua. Unë e mora dhe e kalova në trotuar.
Nuk doja ta fusja prapë në turmë sepse ishin shumë të irrituar. Vetë doktori dhe Ilir Meta kanë kërkuar që të mos goditet. Unë kam punuar në policinë e shtetit 21 vite. Nuk i largohem. Sali Berisha kur e kemi nxjerrë nga turma. Bodyguardi tha duhet ta dorëzojmë në polici dhe të mos lejojmë që ta godasin. Është porosi e doktorit”, ka deklaruar ai.
Pikërisht ky qëndrim i paqartë i Berishës është duke u lexuar si "tradhti" ndaj një prej besnikëve të tij më të mëdhenj. A është vërtetë tradhti? Koha do të flasë më mirë, por ajo që të gjithë e dimë mirë është se Erzen Breçani nuk ka qenë "fans" dhe simpatizant i Berishës. Ai ka qenë atje, kudo, pas krahëve të tij, sa herë që PD ka patur nevojë!/ZËRI