Politikë

Akuza e Berishës: Në Kuvend kishte armë! Kundërshton Garda: Asnjë s'ishte armatosur

Berisha vijoi akuzat e forta në drejtim të SPAK duke e cilësuar prokurorinë e posaçme një organizatë kriminale

E.K
Akuza e Berishës: Në Kuvend kishte armë! Kundërshton Garda:
Berisha duke folur per mediat

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur para gazetarëve në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, që u mbajt në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Berisha hodhi akuza të forta ndaj gardistëve që ishin në sallën e Kuvendit, ku sipas tij njëri prej tyre kishte një armë të fshehur. Gjë që sipas tij është e papranueshme për sallën e Kuvendit. 

"Gardisti që u përball me Ervin Salianjin ka qenë i armatosur, me revole të fshehur nën sqetull, persona të tjerë janë parë rreth parlamentit. Te zyra e kryetares së Kuvendit ishin më shumë roje se kur qëndronte Enver Hoxha në atë zyra. Kjo nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e prerë të opozitës. Opozita kërkon respektimin e të drejtave të saj kushtetuese. Opozita nuk mund të qëndrojë në Kuvend si fasadë, ne nuk bëjmë pazare me pluralizmin. Ne nuk do të pranojmë mohimin e këtyre të drejtave. A e dini ju që SKAPI është sot në sallën e Parlamentit, a ndodhi një krim për SKAPI-n aty? SKAPI është një organizatë kriminale në duart e Edi Ramës, beteja jonë nuk do të ndalojë, ftoj popullin opozitar që ta ndjekë këtë betejë, jam i bindur që një reagim mbarëpopullor do të jetë fundi i kësaj beteje. Në sallën e Kuvendit ka një prokuror të SKAP-it. Asnjëlloj stepje nuk kemi. Shumë shpejt do të takohemi të gjithë me ta,"-tha Berisha.

Pas akuzave të Berishës, një kundërpërgjigje erdhi nga Garda e Republikës që mohoi çdo pretendim të kryedemokratit. Në një reagim për Report Tv, Garda pretendon se në mënyrë kategorike asnjë prej punonjësve të Gardës s’ka qenë i pajisur me armë brenda në sallë. Sipas Gardës, personi të cilit i referohen opozitarët ka mbajtur në dorë një dosje jeshile për të shmangur ndonjë incident ndaj kryeparlamentares, Lindita Nikolla.

Ndërkohë që të hetuar gjithçka që ka ndodhur sot, në ambientet e Kuvendit për inspektim kanë shkuar agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimeve dhe një prokuror i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Aktualisht SPAK ka dy kallëzime penale, njëri nga socialistët për deputetin Bledion Nallbati dhe njëri nga demokratët për deputetin Vullnet Sinaj, të cilët u përplasën me njëri-tjetrin, pasditen e të hënës.

Ndërsa sot, që në nisje të seancës së sotme, në ambientet e jashtme të Kuvendit ishte i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ndërkohë që Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se me polici dhe ushtri po tenton që të mbajë të shtypur opozitën. Në seancën e sotme në Kuvend ka pasur tensione të forta mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së, ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet fizike, por edhe tymueset që u lëshuan në sallë nga deputeti Ervin Salianji. Deputetët e PD iu morën karriget deputetëve socialist, një pjesë e mirë e të cilëve qëndruan në këmbë gjatë seancës së shkurtër. Pavarësisht kësaj, drejtuesja e seancës Lindita Nikolla ka kaluar në votim një sërë ligjesh dhe nismash, që janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës. Seanca u mbyll pas 30 minutash, ndërkohë që opozita paralajmëron përshkallëzimin e aksionit të saj, por pa specifikuar mënyrën se si kjo do të realizohet./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB