
TIRANË- Edhe Fredi Beleri, edhe Sali Berisha janë nën arrest (njëri në burg, tjetri në banesën e tij), por kjo nuk e ka penguar kryedemokratin që të kërkojë mbështetje për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Në ditën e tretë të zgjedhjeve europiane, Berisha nga dritarja e banesës së tij kërkoi që shqiptarët të votojnë për kandidatët e djathtë, një prej të cilëve është edhe Beleri. Ky i fundit është në listën e kandidatëve të "NeoDemokracia", parti e drejtuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
"Të dashur miq, sot përsëri dhe nesër në mbarë Europën vazhdojnë zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe institucionet e reja të BE. Fati e ka sjellë që shqiptarët të jenë sot më shumë votues në Europë sesa në vendin e tyre. Ndaj dhe unë i ftoj të gjithë anëtarët dhe mëbshtetësit e PD kudo që janë të votojnë partitë e qendrës së djathtë. Në tërësi të votojnë për Forza Italia në vendin fqinj, Nea Demokracinë, CDU-në, të votojnë Partinë Popullore Austriake, të votojnë partitë e qendrës së djathtë në Kroaci, Slloveni dhe mbarë vendet e tjera. I ftoj të votojnë kandidatët shqiptarë kudo që janë. I ftoj të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe të votojnë për kandidatët më të mirë që ata besojnë. Le të votojnë për ne dhe për Shqipërinë, në emër tonë dhe të shqiptarëve. Zoti i bekoftë! I garantoj se në këtë vend zgjedhje të tjera nuk do zhvillohen pa votën e tyre, pa pjesëmarrjen e tyre. Le të tmerrohet Edi Rama nga vota e tyre, por zgjedhje Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë pa votën e diasporës dhe emigracionit,"-tha Berisha nga ballkoni i banesës së tij.
Sipas një sondazhi të zhvilluar pak ditë më parë, Beleri, i përzgjedhur nga Mitsotakis si kandidat pasi u dënua në Shqipëri për shitblerje votash, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës renditet i dyti me 30.7% dhe shanset që ai të jetë eurodeputet grek në Parlamentin e ri europian janë relativisht të larta./ZËRI