
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar me akuzat e forta në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tij ka komunikime me vetë kryeministrin Edi Rama, madje edhe në rrjete të koduara.
Teksa shpjegoi praninë e avokatëve të tij në Gjykatë, Berisha tha se kjo bëhet që ai të tregojë respekt për sistemin e drejtësisë. Sot nga ana tjetër, Berisha dorëzoi një padi në GJKKO për përjashtimin e gjyqtares Gjoka nga çështja e tij. Vetë Berisha ka zgjedhur të mos shkojë në asnjë prej seancave, ndërkohë që gjykata i ka caktuar dy avokate kryesisht.
BERISHA: Përfaqësuesit e mi shkojnë në gjykatë për një qëllim, për të trreguar se unë ndaj gjykatës, ndaj institucionit, për arsye të formimit tim, tregoj respektin tim. Se unë mund të mos i çoja fare, jo, ata kanë shkuar.
Ata kanë paraqitur një kërkesë, largimin e kësaj gjykatëseje. Por a e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale? Sikur ta porosisja unë. Atë Kmerin e Kuq. Ajo ishte gjëja më e bukur. Ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi. Edi Rama ia nisi, do u them edhe personin që ua nisi. Edi Rama ia çoi, ku e njihte ajo.
Pra, kanë shkuar për këtë qëllim. I kanë kërkuar të largohet se ka shkelur Kushtetutën. Nëse gjykatësja do thoshte se e thërras Berishën për efekte të hetimit të gjykatës, do të shkoja, por ajo thërret për të komunikuar një masë, vendim që e merr duke shkruar vetë Kushtetutën. Nuk ka histori më të turpshme se kjo.
Ndaj ata i kërkuan këtë gjë. nuk kam komunikuar se çfarë u ka thënë. Por ajo çdo gjë e komunikon me Ramën, me Encrochat apo me çfarë mjeti, nuk mund të them tani, por ajo komunikon me Ramën.
Dhe prapë do shkojnë kur të thirren. Unë rri në kontakt me organet, pavarësisht se Edi Rama mban këtë qëndrim.