
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha vijon mbrojtjen e tij nga akuzat e SPAK dhe GJKKO, duke sfiduar kundërshtarin e tij Edi Rama që të votojnë për heqjen e imunitetit të deputetëve. Berisha ka deklaruar se nuk ka asnjë “ndrojtje” apo “vetëkufizim” që të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, por, ai thekson se fillimisht duhet të kryhet procedura parlamentare ku secili deputet të japë qëndrimin e tij me votë lidhur me këtë çështje, ashtu siç parashikon dhe Kushtetuta.
Berisha tha se beteja e tij bëhet për të mbrojtur Kushtetutën. “Të gjitha këto janë motivet më të fuqishme për çdo shqiptar të vërtetë të shndërrojmë këtë vjeshtë, në vjeshtën e triumfit të mbarë shqiptarëve mbi këtë regjim antishqiptar, diktatorial, çnjerëzor, kleptokratik.
Ndaj dhe unë jam sot këtu, se e di që për të shprehur këto, për të gjithë shqiptarët, por prapë një problem, problemin e gjykatës. Garantoj çdo qytetar se unë po mbroj qytetarët, duke mbrojtur Kushtetutën. Përndryshe unë 10, 100 herë shkoj pa asnjë lloj, bile me një projekt të fuqishëm për të zbardhur të vërtetat aty ku nxihen, pavarësisht është gjykatë, është prokurori, është parlament, është shesh.
Ndaj dhe e ftoj këtë burracak, këtë frikacak të ketë kurajo, të vijë të votojmë amendamentin që u heq deputetëve çdo mbrojtje që i dallon ata nga qytetari i thjeshtë në Kushtetutë në raport me sistemin e drejtësisë.
Të vetmen votë, që unë e garantoj se unë e di që ata mund të mos e votojnë një pjesë e tyre, por deputetët e opozitës do e votojnë që nesër në parlamentin e Shqipërisë.
Nuk autorizohet një mercenare që ka humbur çdo gjë njerëzore, të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj.Kushtetuta nuk mund të shkruhet në tavolinën e gjykatësit, as të prokurorit. Unë po mbroj vetëm qytetarin dhe Kushtetutën që është pa diskutim, ombrella e tyre e vetme.
Por për të provuar nëse kam unë ndonjë ndrojtje apo kufizim për t’u marrë në pyetje në prokurori apo gjykatë, unë nuk kam asnjë vetëkufizim. Por nuk është çështja për pyetje, por aty është një vendim që kufizon lirinë e deputetit. Të cilin unë në parim e kam pranuar. Por Edi Rama e hodhi poshtë.Është Edi Rama që në vitin 2012 e hodhi poshtë në parlament.
Tani i them, bëhu burrë në ta mban dhe hajde të votojmë dhe mos përdor mercenarë që marrin përsipër të shkruajnë Kushtetutën në tavolinat e shtetit. Së dyti, e garantoj se me asnjë masë, me asgjë mbi tokë, vrullin e kësaj beteje pa kthim, nuk do mund ta ndalojë", tha Berisha.
Berisha shpjegoi dhe arsyet se pse ka dërguar avokatët për të ndjekur çështjen e tij, dhe vetë nuk ka shkuar në asnjë seancë.
“Përfaqësuesit e mi shkojnë në gjykatë për një qëllim, për të trreguar se unë ndaj gjykatës, ndaj institucionit, për arsye të formimit tim, tregoj respektin tim. Se unë mund të mos i çoja fare, jo, ata kanë shkuar.
Ata kanë paraqitur një kërkesë, largimin e kësaj gjykatëseje. Por a e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale? Sikur ta porosisja unë. Atë Kmerin e Kuq. Ajo ishte gjëja më e bukur. Ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi. Edi Rama ia nisi, do u them edhe personin që ua nisi. Edi Rama ia çoi, ku e njihte ajo.
Pra, kanë shkuar për këtë qëllim. I kanë kërkuar të largohet se ka shkelur Kushtetutën. Nëse gjykatësja do thoshte se e thërras Berishën për efekte të hetimit të gjykatës, do të shkoja, por ajo thërret për të komunikuar një masë, vendim që e merr duke shkruar vetë Kushtetutën. Nuk ka histori më të turpshme se kjo.
Ndaj ata i kërkuan këtë gjë. nuk kam komunikuar se çfarë u ka thënë. Por ajo çdo gjë e komunikon me Ramën, me Encrochat apo me çfarë mjeti, nuk mund të them tani, por ajo komunikon me Ramën. Dhe prapë do shkojnë kur të thirren. Unë rri në kontakt me organet, pavarësisht se Edi Rama mban këtë qëndrim”, tha më tej Berisha.
/Zëri.ai