
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka denoncuar zgjedhjen e kreut të ri të Gardës së Republikës, Ermal Onuzi, i cili u prezantua dje nga ana e ministrit të brendshëm Ervin Hoxha. Sipas Bardhit, ministri ka gënjyer kur tha se ka pasur një konkurs për zgjedhjen e kreut të ri të Gardës, pasi opozita e ka përmendur emrin e tij që në muajin Mars të këtij viti, i sponsorizuar nga një oligark.
Bardhi kërkoi që të ngrihet një Komision Etike në Kuvend, për të hetuar zgjedhjen e Onuzit.
"Për Drejtorin e ri të Gardës së Republikës. Do të kërkoj diçka se për ju korrupsioni politik nuk është procedure. Opozita e ka denoncuar që në muajin Mars, kur ju miratuar ndryshimet e kritereve për Gardën e Republikës, që në krye të Gardës do të vinte nga jashtë sistemit.
Ju e votuat ligjin e ri me porosi të Edi Ramës, ndërkohë që emri i drejtorit të ri të Gardës vjen si investim i një oligarku. Ligjet me porosi janë kthyer rutinë dhe normalitet. Duhet të shikohet si u votua dhe pse ligji, ky është një rast korrupsioni. Ngrini një komision etike për këtë rast”, u shpreh Bardhi në Kuvend.
Të njëjtin denoncim, Bardhi e bëri edhe gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale, teksa Hoxha prezantoi drejtorin e ri të Gardës.
“Ligjet me porosi janë shkalla më e lartë e korrupsionit politik, por që tashmë janë kthyer në rutinë për mazhorancën socialiste!
Në 22 Mars 2024 Edi Rama ndryshoi në ligjin “Për Gardën e Republikës” kriteret që duhet të plotësojë Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës. Ndryshimet e porositura synonin që të emëronin në krye të Gardës, porositësin e ndryshimeve ligjore. Me emër dhe mbiemër në atë seancë plenare denoncova arsyet e ndyshimeve në ligj. Edi Rama dhe deputetët e tij e mohuan.
Por, denoncimi ishte i vërtetë dhe koha e provoi.
Në 10 Shtator 2024, Edi Rama emëroi në krye të Gardës së Republikës porositësin e ndryshimeve ligjore. Me firmë personale të Edi Ramës, në krye të Gardës së Republikës është emëruar Ermal Onuzi, që sipas ligjit të pandryshuar nuk i plotësonte kriteret ligjore.
Të ndryshosh një ligj, në interes privat të vetëm një njëriu, me porosi dhe paramendim, është korrupsion i konsumuar në sytë e çdo shqiptari. Ky korrupsion i konsumuar në bashkëpunim nga Edi Rama dhe deputetët e tij nuk mund të mbetet i pandëshkuar. Ndryshe vijon qetësisht parimi: “Një drejtësi për Edi Ramën, dhe një drejtësi tjetër të ndryshme për këdo tjetër”!”, denoncoi dje Bardhi. /ZËRI