
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një shkresë Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ku kërkon nga kreu i shtetit që të ndërhyhet për të mos ndikuar në zgjedhje. Bardhi, letrën e tij e ka shoqëruar me foto që provojnë pjesëmarrjen e diplomatëve shqiptarë në takimin e kryeministrit Edi Rama me qytetarët në SHBA. Sipas Bardhit, diçka e tillë është e papranueshme. Të njëjtën shkresë, Bardhi njoftoi se e ka depozituar edhe në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ashtu siç e kishte paralajmëruar. Në shkresën e tij, demokrati i referohet ligjit nr. 23/2015, duke shtuar se shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron me paanësi politike.
"Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, Ambasadorëve dhe stafeve të tyre NUK U LEJOHET me ligj të bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike apo TË MARRIN PJESË në veprimtaritë e organizuara prej tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore passjell shkarkimin nga detyra,"-shkruan Bardhi.
Nga Begaj kërkon që të dalë me një qëndrim publik për tu distancuar dhe për të dënuar përfshirjen në aktivitete të paligjshme politike.
"Ju z. President i Republikës, keni përgjegjësinë që të ndërhyni menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin Ambasador apo stafet e tyre diplomatike, që në shkelje brutale të ligjit kanë organizuar dhe merrin pjesë në veprimtari politike të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përsa sa lart, kërkojmë që të përmbushni në kohë, pa hezitim, misionin tuaj kushtetues, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për t'u distancuar nga veprimet e paligjshme të Trupit Diplomatik, si dhe për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës!,"-shkruan ndër të tjera Bardhi.
SHKRESA E PLOTË:
Sikurse jeni në dijeni për shkak të rolit tuaj kushtetuese për shpalljen e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në Komik janë miratuar disa ndryshime në Kodin Zgjedhor që mundësojnë për herë të parë votimin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Për këtë arsye, partitë politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë edhe takimet me komunitetin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Mirëpo, aktivitetet politike të Edi Ramës dhe Taulant Ballës, përkatësisht Kryetar i Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik për Diasporën i Partisë Socialiste, jashtë vendit gjatë kësaj kohe kanë provuar jo vetëm braktisjen nga shqiptarët, por edhe një fenomen kriminal, atë të shkrirjes së shtetit me partinë. Kjo është aq evidente, saqë edhe Ambasadorët/Diplomatët në SHBA, Kombet e Bashkuara, Itali, Gjermani, Greqi, Çeki, etj, në dhunim brutal të ligjit marrin pjesë në aktivitete partiake të PS me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, duke shpërdoruar funksionin, duke përdhosur figurën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar (jo partisë) në botë, si dhe duke cënuar barazinë e palëve në zgjedhje. Shkrirja e shtetit me partinë në zgjedhje dhe përdorimi i Trupit Diplomatik si trupë elektorale e partisë në pushtet, është një cënim i rëndë i zgjedhjeve dhe një rast unik në botë. Kurrë, askund, Trupa Diplomatike nuk merr pjesë në aktivitete partiake dhe aq më pak nuk shërben si trupė elektorale e partisë në pushtet. Funksioni kërkon paanësi politike dhe përfaqësim me dinjitet të Shqipërisë në Botë Sipas ligjit nr. 23/2015, Shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, dhe PAANËSISË POLITIKE. Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, Ambasadorëve dhe stafeve të tyre NUK U LEJOHET me ligj të bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike apo TË MARRIN PJESË në veprimtaritë e organizuara prej tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore passjell shkarkimin nga detyra. Në mënyrë të vazhdueshme OSBE-ODIHR ka rekomanduar ndalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore për të krijuar avantazhe të konsiderueshme të partisë në pushtet në zgjedhje, si dhe ka rekomanduar që organet ligjzbatuese të veprojnë në kohë dhe me vendosmëri për të ndëshkuar këtë fenomen Për këtë arsye, i nderuar z. Presidentit të Republikës, në cilësinë Tuaj si autoriteti kushtetues përgjegjës për dekretimin e Trupit Diplomatik të Shqipërisë kudo në botë, dhe mbi të gjitha si Kreu i Shtetit, kërkojmë që të mbani një qëndrim publik për tu distancuar dhe për të dënuar përfshirjen në aktivitete të paligjshme politike të Ambasadorëve dhe stafeve të Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën, në organizimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet partiake të Kryetarit apo Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste me shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit Heshtja Juaj dhe mungesa e reagimit, do të perceptohej në opinionin publik si një mesazh i qartë që Ju e mbështesni këtë aktivitet të paligjshëm, dhe mbi të gjitha Ju mbështesni shkrirjen në një të shtetit dhe partisë në zgjedhje, si një problematikë që cënon rëndë barazinë e palëve në zgjedhje dhe parimet themelore që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Gjithashtu, me kompetencat që l'u njeh Kushtetuta dhe ligji, Ju z. President i Republikës, keni përgjegjësinë që të ndërhyni menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin Ambasador apo stafet e tyre diplomatike, që në shkelje brutale të ligjit kanë organizuar dhe merrin pjesë në veprimtari politike të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përsa sa lart, kërkojmë që të përmbushni në kohë, pa hezitim, misionin tuaj kushtetues, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për t'u distancuar nga veprimet e paligjshme të Trupit Diplomatik, si dhe për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës!
Deri më tani, nuk ka asnjë përgjigje nga kreu i shtetit./ZËRI